Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besa Gaxherri kërkon hapësirë për duhanpirësit, Vjosa Osmani kërkon gjoba për ata që pinë duhan brenda Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën e sotme ka kritikuar deputetët që po pinë duhan brenda sallës së Kuvendit, duke kërkuar që ndaj tyre të shqiptohen gjoba sipas ligjit.

“Deputetët po vazhdojnë ta shkelin ligjin për duhanin. Unë i kam shkru ministrit të Shëndetësisë për të kërkuar që Inspektorati ta përcjellë vazhdimisht Kuvendin, t’i evidentojë dhe pastaj t’i dënojë me shumat e parapara me ligj deputetët. Për shkak që inspektorati është i zënë me pandeminë, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar që edhe ne të kemi një komision të brendshëm të administratës së Kuvendit që t’i evidentojë këto shkelje”, u shpreh Osmani

“Në këto momente administrata është duke i evidentuar deputetët dhe do t’i dërgojë këta emra në MSH dhe inspektorat në mënyrë që t’i shqiptojë dënimet e parapara me ligj”, ka thënë ajo.

Lidhur më këtë ka reaguar deputetja e LDK-se, Besa Gaxherri duke kërkuar hapësirë të posaçëm për deputetët duhanpirës.

“Unë jam një ndër duhanpirës dhe kërkoj që duhet t’i sigurohet një hapësirë se nuk mundemi me dal jashtë për të pirë një cigare. Nuk është e vërtete që ti solli këto informata administrata por deputetja e PDK-së që s’bëni kurrfarë marifeti ti qoi fotot”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar disa projektligje. Sot u votua me 64 vota pro projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.