Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Për vjedhje të një biçiklete dënim më i rëndë se për korrupsion

Gazetari dhe monitoruesi i proceseve gjyqësore nga BIRN, Kastriot Berisha, ka thënë se në Kosovë për vjedhje të një biçiklete u shqiptua dënim më i rëndë se për korrupsion.

Ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova theksoi se aktualisht nuk kemi asnjë të dënuar për korrupsion të nivelit të lartë.

“Në Kosovë aktualisht nuk e kemi asnjë të dënuar për korrupsion të nivelit të lartë, nuk kemi asnjë person në burg. Duhet të kemi një harmonizim më të madh të politikës ndëshkimore pasi së fundmi i kemi parë edhe raportimet ku një hajni e një biçiklete dënohet më shumë se korrupsioni”,  ka thënë Berisha.

Sipas tij, raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit është thuajse identik me ato të organizatave të shoqërisë civile.

Berisha potencoi se raporte të ngjashme po vijnë çdo vit.

“Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit është thuajse identik me raportet e organizatave të shoqërisë civile të cilat në mënyrë sistematike e monitorojnë sistemin e drejtësisë. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje për gjykimin e çështjeve të korrupsionit. Çka është me të vërtetë shqetësuese është fakti se raporte të tilla po vijnë çdo vit”, ka  thënë Berisha.

Departamenti Amerikan i Shtetit: Korrupsioni vazhdon të mos ndëshkohet në Kosovë