Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Jashari: Më është dashur t'i lusja gratë të bëheshin drejtoresha

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës është arsyetuar për numrin e vogël të drejtorive të udhëhequra nga gratë.

Jashari në një tubim elektoral me gratë u kishte premtuar atyre se do t’i përfshinte në pozita udhëheqëse. Mirëpo, kryetari tha se e kishte pasur të vështirë që t’i emëronte edhe ato gra në drejtori që i ka.

“Kur unë i kam bë 3 gra drejtoresha kanë qenë vetëm 9 drejtori. Aktualisht i kemi 11, por që gra i kemi edhe në pozita udhëheqëse që është udhëheqësja e auditimit, prokurimit, zyrës ligjore edhe kryesuesja e kuvendit që është hera e parë në komunë. Sa i përket si drejtori janë tri, edhe ndoshta nuk ma marrin për të keq po, edhe këto tria i kam pas vështirë më i bë, më është dashtë me bë lutje e biseda për këto”, tha Jashari.

Në komunën e Skenderajt janë vetëm tri gra drejtoresha nga 11 drejtori gjithsej.

 

Në emisionin “Jeta në Komunë” është transmetuar krypometri i cili ka vlerësuar se kryetari Jashari nuk ka përmbushur premtimin qe ua dha grave gjatë një tubimi për zgjedhjet e 2017-ës.