Bekim Haxhiu ia jep ministrit Vitia kontaktet për sigurimin e 500 mijë deri në 3 milionë vaksinave Pfizer

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, sot është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Haxhiu e Vitia temë diskutimi në takimin e tyre kanë pasur sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Sipas Haxhiut, i cili ka njoftuar për takimin në Facebook, takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer.

“Ministrit Vitia, sekretarit Bardiqi dhe ekipit të MSH zyrtarisht ua ofrova komunikimin dhe kontaktet që i kam patur me Kompaninë e cila po na e ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer. Ministri Vitia dhe sekretari Bardiqi u zotuan se Komiteti i MSH për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë Kompaninë e cila mund të na i sigurojë një numër të jashtëzakonshëm të dozave me vaksinën Pfizer”, thuhet në publikimin e Haxhiut.

Më tej Haxhiu ka thënë se Ministrisë së Shëndetësisë i takon të punojë me seriozitet e përkushtim në sigurimin e vaksinavë, ndërsa ka shtuar se ky proces i do të bashkuar pozitën dhe opozitën.

“Pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë në këtë situatë të gjithë së bashku duhet të punojmë për të mirën e shëndetit të qytetarëve. Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë.Sigurisht se përgjegjësinë kryesore e ka subjekti politik që është në Qeveri”, ka shkruar më tej ai.