Behgjet Pacolli bëhet kritik arti

Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës është bërë kritik arti.

Zotësinë e tij në fushën e kritikës së artit pamorë, Pacolli do ta shpalos nesër në ekspozitën personale të krijueses Argenita Fetahu, “Për tej“.

Ekspozita e krijueses Fetahu hapet nesër në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në ora 19:00, dhe Behgjet Pacolli është njëri prej dy kritikëve të kësaj ekspozite.

Shkrimi kritik i Pacollit për ekspozitën, “Për tej” është përfshirë edhe në katalogun e punimeve të ekspozitës, dhe do të shpërndahet nesër në hapje.

Në këtë vështrim të shkurtër për veprat e Argenita Fetahut, Pacolli ka shkruar se autorja është një piktore e re dhe e talentuar me nje perspektivë të ndritshme.

“Argenita i takon stilit të krijimit të mendimit pozitiv subjektiv, ajo me pikturat e saj ngacmon imagjinatën. Këtë e kam kuptuar nëpërmjet vëzhgimit të veprave dhe punimeve të saj”, ka shkruar ndër të tjerash Pacolli, për punimet e Fetahut.

Zyrtarë të Galerisë së Ministrisë së Kulturës kanë konfirmuar për Kallxo.com se njëri prej punimeve kritike në katalogun e ekspozitës, “Për tej” është ish-ministri i Jashtëm, Begjet Pacolli, por nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse Pacolli do jetë nesër prezent në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

Ceremonia e hapjes bëhet më 4 mars 2020, e mërkurë, në orën 19:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 mars 2020. Kurator i ekspozitës është dramaturgu, Naser Shatrolli.