Begaj: Shqipëria mbron me vendosmëri integritetin territorial të Ukrainës

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria e mbron me vendosmëri integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet formulën e paqes së presidentit Zelensky.

Ai këtë e ka thënë gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Paqe Globale, që është mbajtur në Zvicër.

Begaj përmes një postimi në Facebook, tha se ky Samit shënon një hap të rëndësishëm për t’i dhënë fund konfliktit.

“Lufta në Ukrainë e nënvizon nevojën për paqe si një domosdoshmëri imediate.Shqipëria mbron me vendosmëri integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet formulën e paqes së Presidentit Zelensky. Le të transformojmë shpresën në paqe të qëndrueshme” – ka shkruar Begaj.

Ndryshe në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër morën pjesë liderë nga 100 shtete të botës.

Ky Samit u mbajt më 15 dhe 16 qershor 2024, i cili mblodhi liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë të Samitit.

80 shtete e mbështesin “integritetin territorial” të Ukrainës në samitin për paqe në Zvicër