BE presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes për targat

Afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje me Serbisë dhe Kosovës për targat e veturave është të enjten, më 21 prill. Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme. Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Deklaratat e dhëna gjatë këtyre gjashtë muajve tregojnë që BE mund të jetë duke e humbur durimin ndërsa Kosova dhe Serbia vazhdojnë që të mundohen të mos lëshojnë pe.

I dërguari i BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, i cili një ditë para afatit për marrëveshjen ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd ku do të takojë presidentin Aleksandar Vuçiq, postoi në Twitter më 7 prill se palët u takuan në Bruksel dhe se “me afrimin e afatit (për arritjen e marrëveshjes për targat), është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon”.

“Është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje”, shkroi ai.

Takimet e fundit janë planifikuar për më 20 dhe 21 prill dhe sipas Peter Stano, zëdhënësi kryesor i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, palët “kanë vazhduar të diskutojnë opsionet e identifikuara nga BE”.

“BE ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje. Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, tha Stano në përgjigjet me shkrim për BIRN. 21 Prilli 2022 është vërtet afati i fundit që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për targat.

As qeveria e Kosovës dhe as Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN në lidhje me marrëveshjen apo negociatat.

Negociata pa progres

Që nga 4 tetori deri tani mbulimi i simboleve shtetërore te targat e veturave ka funksionuar mirë, gjithsesi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë problematike dhe negociatat në Bruksel nuk kanë shënuar progres.

Zëvendës kryeministri i Kosovës që gjithashtu drejton delegacionin e Kosovës për negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi dhe drejtori i zyrës së Serbisë për Kosovën Petar Petkoviq, u takuan veçmas me Lajçakun në nëntor 2021. Kjo u përsërit në shkurt.

Violeta Haxholli, nga KDI që monitoron negociatat me Serbinë, tha për BIRN se “Kosova dhe Serbia nuk kanë shënuar progres në negociatat që kanë filluar tash e 6 muaj” dhe që “është pak e pritshme që mund të ketë një marrëveshje mes palëve sepse janë barrikaduar në pozicionet e tyre”.

Për më tepër vetëm nëntë ditë pas fillimit të përdorimit të stikersave për të mbuluar simbolet shtetërore, serbët e veriut të Kosovës protestuan për shkak të një operacioni të policisë kundër kontrabandimit të mallrave.

Javën e kaluar, policia e Kosovës u sulmua katër ditë rresht. Institucionet vendore kanë deklaruar që sulmet kanë ardhur nga Serbia shumë afër me rrugët e bllokuara që dikur përdoreshin si rrugë të jashtëligjshme për kontrabandim mallrash.

Organizata jo-qeveritare, Grupi për Ballkan, BPRG, në një raport të publikuar në mars 2022 argumentuan që “veprime të njëanshme të Serbisë dhe Kosovës- arrestime arbitrare, limitime me qëllim dhe ndalim i lëvizjes së lirë, taksa (si ajo 100%), targat ilegale të prodhuara në Serbi me qytete të Kosovës, etj.- kanë shkatërruar zbatimin e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe menaxhimin e kufinjve”.

“Situata u komplikua nga kushtëzimi prej Serbisë i arritjes së disa marrëveshjeve me implementimin e disa të tjerave, si ajo për Asocacionin e komunave me shumicë serbe,” shkruhet në raport. BPRG i sugjeron BE-së që ta shfrytëzojë momentin dhe ta shtyjë Kosovën dhe Serbinë për një marrëveshje.

Reciprociteti vazhdon të jetë i rëndësisë të lartë për Kurtin

Në një intervistë për median në gjuhën serbe Kossev, Bislimi, nga mesi i marsit 2022, tha që arritja e një marrëveshjeje nuk do të thotë domosdoshmërisht që Serbia do ta njohë Kosovën.

Bislimi tha që mund të theksohet në marrëveshje që nënshkrimi i saj “nuk do të thotë që Serbia e njeh Kosovën apo Kosova e njeh Serbinë”.

Sipas Bislimit, në negociatat për një marrëveshje për targat e veturave “Opsioni A është mbajtja e simboleve shtetërore dhe heqja e shkurtesave, ndërsa opsioni B është e anasjellta, mbajtja e shkurtesave dhe heqja e simboleve shtetërore”. Bislimi kishte thënë që “momentalisht pala serbe insiston për vazhdimin e përdorimit të stikersave”.

Stano, zëdhënësi i BE, tha për BIRN që “BE ia rikujton palëve që është urgjente që të dyja palët  të gjejnë gjuhën e përbashkët”.

Stano shtoi që “për çdo marrëveshje e mundshme për targat e veturave do të nevojitet fleksibilitet dhe kompromis politk”.

Haxholli tha për BIRN që “natyrisht që në një proces kaq të gjatë siç është dialogu që ka filluar tash e 11 vite dhe edhe pas kaq kohe janë rikthyer diskutimet për çështje që ka pasur marrëveshje më herët, BE me siguri që ndjen një lodhje nga ky proces”.

Megjithatë ajo thotë që BE mund të “kushtëzojë palët në dialog me avancimin në rrugën evropiane. Në këtë drejtim më shumë mund të kushtëzojë Serbinë e cila i ka hapur kapitujt ndërsa jo shumë Kosovën e cila ende nuk ka perspektivë të qartë pa njohjen e 5 vendeve” anëtare të BE.

Marrëveshja e parë për targat ishte arritur në 2011. Ndërkohë, stikersat janë përmendur për herë të parë në një marrëveshje për lëvizjen e lirë mes Kosovën dhe Serbisë të 2016. Marrëveshja kishte tentuar të sillte një reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë duke mbuluar simbolet shtetërore te targat e veturave dhe njëkohësisht duke i bërë të jashtëligjshme targat e prodhuara në Serbi me qytete të Kosovës. Kjo marrëveshje nuk ishte implementuar asnjëherë dhe qytetarët e Kosovës janë detyruar që të heqin targat e tyre në kufi me Serbinë pasi Serbia nuk e njeh asnjë dokument që mban simbolet e Kosovës me shkurtesën RKS për Republika e Kosovës. Pasi marrëveshja e vitit 2016 skadoi në shtator 2021 qeveria e Kosovës vendosi që të mos e vazhdonte më.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vazhdon të insistojë që reciprociteti duhet të jetë parimi më i rëndësishëm i secilës marrëveshjeje. Kurti tha për mediat të hënën që “21 prilli është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty dhe për anën teknike i kemi grupin tonë teknik dhe drejtuesin e negociatave që po bisedojnë për të gjetur një zgjidhje. Por ajo që e di të jetë e padiskutueshme dhe e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelbi i zgjidhjes”.

Sipas Haxhollit nga KDI “në mungesë të njohjes reciproke Kosova dhe Serbia duhet të dakordohen në gjetjen e modaliteteve deri në njohje. Nëse vazhdon praktika e vendosjes së stikerave si më herët, siç është raportuar nga qytetarët kjo metodë nuk është shumë e përshtatshme pasi që stikerat bien nga targat me kalimin e kohës”.