Flamuri i BE-se/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

BE-ja jep dritën e gjelbër për t’i ndarë Hungarisë rreth 1 miliard euro

Ministrat e Financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, janë pajtuar për t’i ndarë 920 milionë euro për Hungarinë, në kuadër të fondeve për rimëkëmbje pas pandemisë së koronavirusit, dhe mes tensioneve të liderëve të BE-së me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Ekzekutivi i BE-së e ka miratuar muajin e kaluar planin për Hungarinë, për shpenzim të 10.4 miliardë eurove për rimëkëmbje pas pandemisë, mirëpo lëshimi i pjesës më të madhe të fondeve, është pezulluar derisa Budapesti të përmbushë kushtet për zbatim të ligjit.

Megjithatë, rreth një milliard eurot nuk janë qenë të kushtëzuara, pati thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Veerle Nuyts, më 23 nëntor.

Drita e gjelbër vjen pasi Orbani është akuzuar se ka gatishmëri për t’i vënë veton ndihmës së BE-së për Ukrainën, dhe ta pengojë nisjen e bisedimeve të Kievit për anëtarësim në bllokun evropian, në një samit që do të mbahet javën e ardhshme, nëse nuk i zhbllokohen fondet vendit të tij.

Ministrat e Financave janë takuar në Bruksel për fondet e 13 shteteve, përfshirë planin për Hungarinë në vlerë të 10.4 miliardë eurove, përfshirë 6.4 miliardë euro si grante dhe 3.9 miliardë euro si hua.

Burime të BE-së kanë thënë se katër vende kanë abstenuar për planin e Hungarisë: Estonia, Letonia, Lituania dhe Holanda.

Blloku mund të zhbllokojë më shumë fonde për Hungarinë, pasi Budapesti të marrë masa për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit, ka thënë një zyrtar i BE-së javën e kaluar.

Mes shqetësimeve në rritje se Orbani mund të prishë mundësinë e marrjes së vendimeve kyçe për Ukrainën në samitin e BE-së, që do të mbahet më 14-15 dhjetor, disa zyrtarë të lartë evropianë kanë vendosur të takohen me të.

Charles Michel, zyrtar i lartë i bllokut, është takuar me Orbanin më 27 nëntor, me qëllim të uljes së tensioneve, derisa presidenti francez, Emmanuel Macron e ka mirëpritur liderin hungarez të enjten në Paris./REL