Ilustrim

Bashkësia Islame do t’i dezinfektojë xhamitë në Kosovë

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) do t’i dezinfektojë të gjitha xhamitë që janë të hapura për besimtarët në Kosovë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këtë e ka bëtë të ditur kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, pas takimit që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Tërnava ka thënë se do të kërkohet ndihmë nga institucionet e tjera të Kosovës në procesin e dezinfektimit të xhamive, si dhe menaxhimit të situatës në rast të evidentimit të ndonjë rasti të infektuar me koronavirus.

Kreu i BIK-ut ka thënë se ky institucion do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e shtunë, ku do të merren vendime sa i takon zhvillimit apo anulimit të aktiviteteve nëpër xhamitë e Kosovës.

Kosova dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë raste të konfirmuara me koronavirus. /REL