barrikada

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë, Foto: KALLXO.com

Barrikada të reja te Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan

Brenda natës janë ngritur edhe dy barrikada të teja në veri. Një barrikadë është vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, afër shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Derisa tjetra është vendosur në vendin e quajtur “Kërshi i Dudit” në Zveçan, në rrugën që lidhë Rudarën e Zveçanit me Mitrovicën e Jugut.

Për vendosjen e barrikadave janë përdorur më shumë se gjashtë makineri të rënda të mbushura me zhavorr.

Barrikada e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda një qyteti derisa të tjerat janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që lidhin qytetet në veri.

Që 18 ditë janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Ai është arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Që para fillimit të vendosjes së barrikadave më 10 dhjetor në veri, janë regjistruar disa incidente me shok-bomba e granata dore, sulme ndaj ekipeve të gazetarëve, patrullës së EULEX-it, një polic i Kosovës është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur disa herë se Kosova ka kapacitete për largimin e barrikadave.

Nga ana tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se lirimi i serbëve të arrestuar dhe disa kërkesa të tjera të cilat janë drejtuar kryeministrit Kurti, janë kushtet për largimin e barrikadave.

Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se barrikadat do të largohen nëse formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.