Mehmet Ballazhi viziton "Reporting House"

Ballazhi në “Reporting House”: Kjo ekspozitë ka rëndësi për të gjithë, veçanërisht për qytetarët e Hanit të Elezit – FOTO

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka vizituar të martën (25.06.2024) ekspozitën “Reporting House”.

Bashkë me ekipin e tij ekzekutiv, ai pa nga afër video materialet, fotografitë dhe veprat tjera të ekspozuara “Shtëpinë e Gazetarëve” e të cilat lidhen me luftën e fundit në Kosovë.

Ballazhi tha se kjo ekspozitë ka rëndësi të veçantë për gjithë qytetarët e vendit e veçanërisht për komunën që ai e udhëheq për arsye se një pjesë e saj lidhet me Bllacën.

Për Kallxo.com, ai tha se është i gatshëm të punojë në të ardhmen me organizata ndërkombëtare ose me institucionet qendrore për të ndërtuar trenin tek “BLLACA 99”, si pjesë e historisë së kaluar të shqiptarëve.

“Jam shumë i gatshëm që të gjejmë një mundësi që një punë të tillë ta bëjmë edhe tek vendi i Bllacës, sepse aty kanë kaluar shumë shqiptarë të cilët janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Një investim i tillë do të kishte shumë ndikim në ruajtjen e historisë sonë dhe promovimin e vlerave të luftës” – tha Ballazhi.

Gjatë kësaj vizite, ai u prit dhe u shoqërua nga Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës dhe nga Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës,

“Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve” u hap zyrtarisht  më 10.06.2024, në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton “Reporting House”
Mehmet Ballazhi viziton Reporting House

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Ekspozita “Reporting House” është vizituar nga personalitetet e larta shtetërore të Kosovës, përfaqësues të nivelit qendror e lokal, përfaqësues diplomatik si dhe qytetarë të shumtë.

“Reporting House” do të jetë e hapur deri në mesin e muajit shtator.