Bajrami ia kujton Kurtit premtimin e tij për ‘ulje të çmimit të energjisë elektrike’

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ia ka përmendur kryeministrit Albin Kurti deklaratën e tij të dhënë në emisionin #DebatPernime në vitin 2019, kur premtonte se do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike. Bajrami tha se Kurti e ka kundërshtuar çdo projekt të energjisë.

“Tani sapo e shikova një video të emisionit Jeta në Kosovë në shtator 2019 kur kandidati për kryeministër Albin Kurti, tashmë kryeministër premton se do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike”, tha Bajrami.

Bajrami ka thënë se i ka dëgjuar ankesat e qeverisë Kurti për sektorin e energjisë dhe ka konsideruar që është legjitime edhe të ankohen për qeveritë e kaluara që kanë qeverisur ndër këto vite. Por Bajrami thotë se assesi nuk është legjitime që ‘këta’ të befasohen me gjendjen në sektorin e energjisë duke marr parasysh se kanë qeverisur 5 muaj edhe në vitin 2020 dhe sipas saj është dashtë ta skanojnë situatën.

“Ju nuk mund të merrni merita sa herë që administrata publike të ketë sukses për diçka dhe t`i quani të korruptuar ata dhe gjithkënd tjetër që ka qeverisë për 20 vite”, tha Bajrami.

Bajrami e ka quajtur popullist qeverinë Kurti dhe sipas saj qeveria ka menduar që problemin e energjisë do ta zgjedhin me popullizëm.

“Është shumë lehtë të merrni vendim tu shpërndahen fëmijëve të vegjël ka 20 euro shtesa respektivisht 10 euro, por është tepër vështirë me dalë dhe me ju thënë qytetarëve se do ta shtrenjtojmë ose do ta ngritim çmimin e energjisë elektrike”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2019 kishte deklaruar se do të synojnë uljen e çmimit të rrymës për qytetarët.

Këtë deklaratë e kishte bërë para se të merrte besimin për formimin e Qeverisë Kurti 1 pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019.