Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse çmimi i energjisë elektrike në Evropë ka arritur nivel rekord?

Në Evropë kostoja e energjisë elektrike është në rritje. Çmimet janë rritur vazhdimisht këtë vit, pas nisjes së rimëkëmbjeve ekonomike. Mirëpo çmimet janë rritur në mënyrë astronomike në javët e fundit.

Që nga fillimi i shtatorit, çmimet e energjisë me shumicë në Gjermani dhe Francë janë rritur përkatësisht me 36% dhe 48%. Aktualisht çmimet po fluturojnë në rreth 160 euro (189 dollarë) për megavat-orë, një nivel rekord. Si mund të shpjegohet kjo rritje?

Një prej problemeve është furnizimi me gaz natyror, i përdorur për të prodhuar rreth një të pestën e energjisë elektrike të Evropës. Mungesat e gazit natyror e kanë rritur çmimin e saj – dhe kësisoji edhe çmimin e energjisë elektrike – më të lartë.

Rreth një e treta e furnizimit evropian vjen nga Rusia; një e pesta tjetër vjen nga Norvegjia. Të dyja vendet janë goditur me ndërprerje të ndryshme, të tilla si incidenti me një zjarr në një fabrikë përpunimi në Siberi, duke shkaktuar furnizim më të ulët se sa pritej. 

Blerësit evropianë, siç janë kompanitë kombëtare të gazit, i kanë vendosur shpresat e tyre në tregun e gazit të lëngshëm natyror (LNG) për të kompensuar mungesën. Mirëpo atyre iu është dashur të konkurrojnë me blerësit në Kinë dhe Japoni, ku kërkesa për gazin e lëngshëm natyror po rritet. Midis janarit dhe korrikut importet e gazit të lëngshëm natyror në Evropë ishin 15% nën vëllimin e vitit të kaluar, thotë Graham Freedman, analist në ëood Mackenzie, një kompani kërkimore. Për më tepër, Evropa pësoi një dimër të ftohtë dhe të zgjatur që konsumoi inventarët. Ata janë rreth 25% nën mesataren e tyre afatgjatë.

Zakonisht, ndërmarrjet evropiane i përgjigjen çmimeve të larta të gazit duke përdorur më shumë qymyr. Por çmimi i qymyrit është gjithashtu në nivelet më të larta rekord pas kërkesës kineze për energji elektrike dhe pengesave të prodhimit. Kostoja e lejeve evropiane të karbonit është gjithashtu në nivele rekord. Këto i japin zotëruesit të drejtën të lëshojë një sasi gazrash serrë. Për shkak se djegia e qymyrit lëshon më shumë sesa djegia e gazit natyror, lejet e shtrenjta të karbonit e rrisin edhe më shumë çmimin.

Një faktor tjetër është era – ose mungesa e saj. Rreth një e dhjeta e energjisë së Evropës prodhohet nga era. Në disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë, kjo pjesë është dyfishi i asaj. Kohët e fundit, megjithatë, ajri ka qenë jashtëzakonisht i qetë. Në Gjermani, për shembull, gjatë dy javëve të para të shtatorit prodhimi i energjisë së erës ishte 50% nën mesataren e tij pesëvjeçare, thotë Roy Manuellnga i ICIS, një kompani kërkimore.

Çmimet e larta të energjisë janë më të theksuara në Britani. Kjo është për shkak se ajo është veçanërisht e varur nga gazi dhe era. Të dyja burimet prodhojnë rreth 60% të energjisë elektrike britanike, pothuajse dyfishi i mesatares evropiane. Një faktor tjetër është se Britania është më pak e lidhur se sa fqinjët e saj me rrjetin evropian, gjë që ndihmon në përhapjen e ofertës dhe kërkesës për energji elektrike në të gjithë kontinentin dhe kështu i bën çmimet më pak të paqëndrueshme. Ky problem u komplikua këtë javë kur një ndërlidhës midis Britanisë dhe Francës u mbyll për shkak të një zjarri.

Analistët presin që çmimet të mbeten të larta gjatë gjithë dimrit kur kërkesa për ngrohje dhe energji të arrijë kulminacionin. Ky është një lajm i keq për konsumatorët evropianë, të cilët do të përballojnë pjesën më të madhe të kostos. Disa vende tashmë po përpiqen t’i mbrojnë ato. Në Spanjë kabineti qeveritar ka miratuar masa emergjente për të vendosur një kufi në çmimin e gazit dhe fitimet e kompanive të shërbimeve. Qeveria italiane po rishikon sesi llogariten faturat e energjisë elektrike. Mirëpo politikëbërësit nuk do të jenë në gjendje t’i mbrojnë konsumatorët nga ndikimet më ekstreme të mungesës së gazit natyror. Disa analistë mendojnë se një dimër veçanërisht i ftohtë mund të shkaktojë dështime në furnizimin me energji elektrike. Faturat tejet të shtrenjta të energjisë elektrike mund të jenë shqetësimet më të vogla të Evropës.

Linku: https://www.economist.com/the-economist-explains/2021/09/15/ëhy-has-the-price-of-electricity-in-europe-reached-record-highs