Foto: Kallxo.com

Komisioni për Ekonomi fton ZRrE-në për të diskutuar për çmimin e energjisë elektrike

Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike u propozua që të ftohet në takim Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për të diskutuar në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, për shkak se tash është koha kur edhe përcaktohet ky çmim.

KALLXO.com ka shkruar para disa ditëve se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që gjatë këtij viti të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Propozimi i Rregullatorit për të hyrat maksimale për ndërmarrjet energjetike, për periudhën 1 prill 2020-31 mars 2021, të jetë 273.3 milionë euro. Këto të hyrat mund të grumbullohen edhe me tarifat aktuale të energjisë elektrike.

Fillimisht, propozimi i Endrit Shalës, kryetarit të këtij Komisioni, ishte që deputetët sipas mundësive të jenë bëhen pjesë e këtij procesi që është duke u zhvilluar nga ZRrE në lidhje me përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara dhe tarifat e energjisë elektrike.

Por anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, propozoi që ZRrE të thirret në takim për të diskutuar këtë çështje dhe mos të lihet në mundësinë e deputetëve që të bëhen pjesë e këtij procesi.

“Mundemi me i thirrë ZRrE-në me ardhë në takim që mos me lonë më vullnet të lirë të deputetëve. Javën e ardhshme t’i thërrasim në takim të ZRrE-së”, ka thënë Krasniqi.

Përveç kësaj, gjatë këtij takimi janë diskutuar edhe detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit.

Kryetari i Komisionit, Endrit Shala ka thënë se ende si Komision nuk e kanë pranuar planin legjislativ nga Qeveria. Shala tha se Komisioni duhet të hartoj objektivat dhe prioritetet që do t’i kenë gjatë mandatit.

Shala propozoi edhe disa nga këto objektiva dhe prioritete. Ai tha se Komisioni për Ekonomi do të bëjë shqyrtimin e projektligjeve, hartimin e nismave legjislative, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit, mbikëqyrjen e punës së qeverisë, në këtë rast të ministrisë.

Më tej Shala ka thënë se kanë propozuar që në baza 3 mujore të ketë raportim nga ministrja. Objektiv tjetër do të jetë monitorimi i MSA-së dhe ERA-s, monitorimi i agjencive, marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta me Shqipërinë, monitorimi i marrëveshjeve me Serbinë, bashkëpunimi me Odën Ekonomike, Shoqërinë Civile dhe donatorë.

Anëtari i Komisionit nga PDK, Ferat Shala propozoi që këtyre objektivave dhe prioriteteve të Komisionit t’i shtohet edhe monitorimi i veçantë i Ndërmarrjes Publike “Trepça”.

“Ndërmarrja “Trepça” është e vetmja ndërmarrje minerare dhe shoqëri aksionare, për specifikat që ka duhet të ketë fokus të shtuar”, ka propozuar Shala.

Specifikimin e “Trepçës” e kundërshtoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili tha se ndërmarrjet nuk duhet të specifikohen për shkak se secila i ka specifikat e veta dhe ky Komision e ka fushëveprim monitorimin e të gjithë ndërmarrjeve publike.

“Ndoshta mos me i specifiku ndërmarrjet publike sepse secila i ka specifikat e veta, me i mbajtë si grup se edhe Telekomi është buzë falimentimit, kështu që kisha propozu që ndërmarrjet me i mbajtë si grup, jo të specifikuara”, tha Murati.

Ndërsa anëtari tjetër i Komisionit nga AAK, Pal Lekaj u ankua që ende nuk ka informacione se si do të fuzionohen ministritë. Ai propozoi që Komisioni ta ftoj ministren Rozeta Hajdari për të prezantuar vizionin e ministrisë dhe fuzionimin e saj.

“Mendoj që ne nuk kemi asnjë draft propozim përpara që ne të veprojmë me plan veprim. Kanë kaluar 25 ditë dhe ne nuk kemi asnjë informatë se si do të fuzionohen ministrinë, e ne po flasim për plan veprimi thu që nuk ka plan veprimi. Ky komision e ka për detyrë me thirrë ministren dhe të paraqes vizionin e ministrisë, dhe fuzionimin e ministrisë, ne kot qesim në letër kur nuk kemi plan qeverisës”, theksoi Lekaj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila shtoi se objektivat e këtij Komisioni nuk janë shumë ndryshe nga Komisioni i kaluar, përpos politikat e punësimit që janë integruar.

Propozim i Kusari-Lilës ka qenë që të miratohen edhe ligje që ja miratuar në legjislaturën e kaluar e që kanë kaluar pa u monitoruar. Po ashtu, ajo tha që Komisioni duhet të monitoroj edhe respektimin e kuotës gjinore që është përcaktuar me ligj te bordet e Ndërmarrjeve Publike dhe Shoqërive Aksionare.

“Të fillohet me zbatimin e ligjit nga ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare që ta zbatojnë kuotën gjinore nëpër borde. Për dy vitet e para 40% dhe pas dy viteve 50 me 50%. Kisha propozu që edhe punën në teren, të bëjmë vizita dhe të marrim informata të dorës së parë. Një ose dy herë gjatë muajit të jemi në vizitë në teren”, ka shtuar Kusari-Lila.

Anëtarja e Komisionit nga LDK, Valentina Bunjaku propozoi që të kërkojnë takime me studentë që e kanë përfunduar fakultetin, të takohemi me hartuesit e kurrikulës për të parë sa përshtatet me tregun e punës dhe të takohen me përfaqësues të ASK-së për t’i parë si janë statistikat për tregun e punës.