Bajrami i reagon Kurtit: Na lejoni të bëjmë punën tonë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami i ka kërkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, që si ministra të LDK-së të lejohen të vazhdojnë punën përkundër përplasjeve politike që kanë pasur pas rrëzimit të Qeverisë më 25 mars me mocionin e nisur nga LDK-ja.

“Nuk mund të konsiderohemi ministra të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë një regjimi të vjetër, na lejoni që të bëjmë punën të japim maksimumin dhe të jemi në shërbim të qytetarëve”, tha Bajrami.

Bajrami shtoi se pas rrëzimit të qeverisë, ata kanë kërkuar nga LDK-ja që t’i lirojnë pozitat si ministra.

“Për ne si ministra të LDK-së kjo periudhë pas mocionit të mosbesimit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, e dini se në momentin kur ka ra qeveria kemi kërkuar nga partia të lirojmë këto pozita por na është kërkuar të vazhdojmë punën nga kryetari Mustafa dhe të mos bëjmë politikë”, tha Bajrami.

Duke folur për punën e saj në MASHTI, Bajrami përmendi edhe sfidat në qeverisje, si mësimi në distancë online.

“Falënderoj të gjithë vullnetarët, prindërit, komunën dhe mësimdhënësit që e kanë bërë këtë projekt të suksesshëm”, tha ajo.