Babai dyshohet se vrau djalin në Peran të Podujevës
Një person është vrarë sot me armë zjarri në Peran të Podujevës.
Babai dyshohet se me armë zjarri vrau djalin e tij.
Dyshohet se shkak për vrasje, sipas banorëve lokalë, është një mosmarrëveshje babë e bir.
Dyshimet e para janë se viktima (djali) ka marrë për të punuar tokën e një fqinji të tij, me të cilin dorasi i dyshuar (babai), ka pasur më parë një konflikt.
Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është sqaruar se cili ka qenë motivi që dyshohet se shtyu prindin të shkrepë armën mbi djalin e tij.
Sidoqoftë, vrasja ka ndodhur në një arë, që ndodhet afër shtëpisë së tyre, në lagjen “Ismajli” në fshatin Bajqinë.
Këtë fshat dhe fshatin tjetër, Peran, i ndan vetëm rruga.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 18:00, me ç’rast është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Peran të komunës së Podujevës.
Policia dhe njësitet e tjera kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, duke u mbështetur në të dhënat e para, bëhet e ditur se një person ka humbur jetën, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Vdekja e viktimës është konstatuar nga ana e mjekëve emergjent.
Policia ka iniciuar një hetim me synim sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin./RTKLive