Ilustrim

Arrestohet një i dyshuar lidhur me incidentin e zjarrit në Peran të Podujevës

Policia ka dhënë detaje lidhur me incidentin e zjarrit që ka ndodhur sot në Peran të Podujevë rreth orës 7:30.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar, i cili është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Në njoftimin e Policisë shpjegohet se nga zjarri fillimisht dyshohet se është përfshirë një mobileri, në katin e sipërm të një pompe derivatesh dhe më pas zjarri ka filluar të marrë përmasa më të gjera të shpërndarjes, duke përfshirë edhe pompën e derivateve.

Sipas Policisë, në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale derisa nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit, policia, të cilët kanë bërë lokalizimin e zjarrit si dhe evakuimin e personave të atë zonë. Bazuar në vlerësimet nga terreni, në vend ngjarje janë angazhuar zyrtarë të FSK-së, KEDS-it, zyrtari i komunës për hetimin e shkaqeve të zjarrit, të cilët në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin janë marrë me rastin” – është thënë në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se  arrestimi i personit të dyshuar i cili është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm është bërë pas hetimit preliminar, në koordinim me prokurorin e shtetit.