Foto: KALLXO.com

Avokati i të dyshuarit për vrasjen në Prishtinë, letër hetuesve

Fanol Krasniqi, mbrojtësi i të dyshuarit A. G. për vrasjen e N. G. në Prishtinë më 25.03.2025 në rrugën “Rrustem Hyseni” i ka dërguar një letër Departamentit për Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme të Poliicsë në Prishtinë për këtë rast.

Përmes kësaj letre, Krasniqi shpalos detaje të ngjarjes nga prespektiva e të dyshuarit A. G., me të cilin thotë se ka kontaktuar përmes rrjeteve sociale. 

Në këtë incident ku dyshohet se u shkrepën armët në një lokal të kryeqytetit, mbeti i plagosur M. M. Dhe në bazë të pretendimeve të A. G. të dhënë nga Krasniqi, i ndjeri ishte goditur nga gjuajtja e të plagosurit M. M., e jo nga ai.

Fillimisht, avokati Krasniqi tregon se përmes tij, A. G. kishte dhënë informatën për vendndodhjen e armëve, ku si mbrojtës ka prezantuar bashkërisht me zyrtarët policorë më 27.03.2025 në fshatin Makoc të Prishtinës ku janë gjetur tri armë zjarri.

“Në vend janë gjetur armët: pistoletë e tipit TT, pronë e A.; pushkë automatike e tipit Ak 47 (apo e ngjashme) pronë e të dyshuarit tjetër, dhe pistoletë me mulli e tipit “Colt” (apo e ngjashme) pronë e M. M. Para se ta elaborojmë ngjarjesn nga perspektiva e A. G., theksojmë se arma e tipit “Mulli” është përdorur nga M. M., ku kjo do të vërtetohet edhe me të gjeturat e vendit të ngjarjes” – thuhet në letrën e shkruar nga Krasniqi.

Për vërtetimin e gjendjes së drejtë faktike, Krasniqi ka kërkuar që të intervistohen dy dëshmitarë, të cilët pretendon se kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes.

Avokati Krasniqi thotë se i është kumtuar zanafilla e problemit mes A. G. dhe M. M., të cilët para një kohe sa kanë qëndruar në Barcelonë të Spanjës, M. M. kishte një lidhje dashurie me një zonjë nga një shtet tjetër, e cila sipas tij, banonte në Barcelonë.

Krasniqi tregon se gruaja në fjalë kishte krijuar lidhje dashurie edhe me një shok të ngushtë të M. M. me emrin e njëjtë sikur të të dyshuarit, mbiemrin e të cilit nuk ia dinë.

“M. M. e akuzonte A. G. se pse nuk e kishte njoftuar për tradhtinë që ia ka bërë e dashura e tij, me personin me emrin A., ku si pasojë e mos dhënies së informacionit lidhur me tradhtinë që ia ka bërë A., edhe ky mik i M. M., i njëjti shpreh mllefin tek A. G., duke e sharë në mënyrë të vazhdueshme me vajzë dhe grua, e deri te kërcënimi për babanë” – ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi pretendon se akuzimet e M. M. kishin arritur deri në atë masë sa kishte shkuar pas mesnatës para hyrjes së apartamentit ku banonte A. G. në Barcelonë dhe ka insistuar që të takohen urgjentisht, dhe ishin takuar.

“Me të dalë nga hyrja, kishe parë M. me një thikë në dorë e të zemëruar, ku M. kishte akuzuar, kanosur, madje edhe kishte tentuar të therë me thikë A., por ky i fundit kishte arritur të largohet, çdo herë duke mos ditur për situatën e krijuar në mes M. dhe A. tjetër” – ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi shpjegon se A. G. ka qenë me qira në apartamentin e një pronareje në Spanjë dhe sipas tij, M. M. pas disa ditësh kishte marrë edhe vëllanë e tij, A. M. dhe kishin kërcënuar pronaren e apartamentit ku A. G. qëndronte, me qëllim të detyrimit të saj për ta larguar nga apartamenti A. G.

Në këtë letër Krasniqi thekson se kanosja e M. M. ndaj A. G. kishte vazhduar përmes ofendimeve dhe kërcënimeve, duke e sharë me prindër, motra dhe gruan e vajzën dy-vjeçare, për të cilin, gruaja dhe vajza kanë rëndësi të veçantë pasi Krasniqi thotë se “vajza i kishte lindur pas dhjetë vite martesë”.

“Pas kërcënimeve ndaj zonjës V., kjo e fundit kërkon nga A. që të largohet nga banesa që e posedonte me qira, dhe A. detyrohet të ikë për në Francë për t’iu bashkuar gruas dhe vajzës së mitur, ku më pas më datën 24.03.2025 kthehet në Kosovë për vizitë tek prindërit” – ka thënë Krasniqi.

Kur A. G. ishte informuar për vendndodhjen e M. M., Krasniqi thotë se ai bashkë me një person NN kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku A. G. me vete posedonte një armë të tipit TT, kurse miku i tij NN, një kallashnikov.

“Me të hyrë në lokal, A. G. lëshon një zë duke kërkuar nga mysafirët që mos të lëvizin dhe për një moment, M. M. gjuan në drejtim të A. me shumë se 4 herë, ku nga kjo gjuajtje A. plagoset në këmbën e djathtë, dhe pas zbrasjes së municionit nga ana e M., i njëjti repetit armën, dhe afrohet në distancë të afërt dhe e godet tri herë, 2 në këmbë dhe 1 në dorë dhe më pas afrohet ia merr armën M. M., të tipit “Mulli” dhe me armën e tij me pjesën e kodakit e godet disa herë në kokë dhe përfundimisht largohet në një vend të panjohur” – ka përshkruar ngjarjen Krasniqi.

Krasniqi shton se sipas A. G. nuk ka mundësi që nga gjuajtja e tij të jetë goditur i ndjeri N. G.

“I ndjeri është goditur nga gjuajtja e M. M. Qëllimi i A. G., nuk ka qenë që të gjuaj në drejtim të M. M., por ka qenë që ta rrahë për shkak të fyerjeve të rënda që ia kishte bërë kohë më parë M. M., mirëpo me të hyrë në lokal, siç u theksua më lartë, A. G. plagoset nga M. M., ku si pasojë e plagosjes është detyruar ta mbrojë veten dhe ta zmbrapsë sulmin e papritur dhe të kundërligjshëm. Sipas A., armën që ka poseduar nuk e ka repetit deri në momentin e fundit kur M. M. i ka shkrepë të gjithë fishekët që i kishte në revolën “Mulli”” – ka thënë në letrën e tij Krasniqi.

Më tej, Krasniqi shpreh shqetësimin si mbrojtje për deklarimin e personave të cilët kanë qenë prezent në loklain ku ka ndodhur incidenti, pasi pretendon se M. M. ka raporte shoqërore me ta dhe se deklaratat e tyre do të jenë të anshme në raport me zbardhjen e të vërtetës dhe shfajësimin e M. M.

Çështje tjetër të rëndësishme për mbrojtjen, Krasniqi e ka përmendur edhe çasjen ndaj reagimeve të të pranishmëve në lokal ndaj hyrjes dhe thirrjes së A. G.

“Logjikisht me rastin e hyrjes së papritur të dikujt në lokal dhe përdorimit të tonit të lartë me fjalë ‘mos lëvizni’, padyshim do i shtynte të pranishmit të fokusohen në drejtim të personave që hynë në lokal, e jo të personave që ishin të pranishëm në lokal. Rrjedhimisht, të pranishmit në lokal nuk do mund të dëshmonin lidhur me veprimet apo reaksionin e M. M., kur tani me fokus ka qenë në drejtim të A. G. ose mundësi e tyre për t’u shtrirë në tokë” – tha Krasniqi.

Në një fjali përmbyllëse të krejt kësaj letre, Krasniqi potencon se “A. nuk ka shtënë në drejtim të asnjërit nga personat që gjenden në lokal, mirëpo gjuajtja e tij në drejtim të M., ka ardhë pas plagosjes që i është bërë nga ana e të njëjtit”.

“Në çfarë pozicioni ndodhej A. kur u plagos? Meqë, A. është plagosë në momentin kur ka hyrë në lokal, atëherë të pa shmangshme do të jenë të gjeturat dhe gjurmët e predhave kah dera e hyrjes” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi madje i ka propozuar disa pyetje për dëshmitarët përmes së cilave mendon se do duhej të sqaronin rastin. Dhe po ashtu në fund të letrës thuhet se i kanë bashkangjitur përveç autorizimit për përfaqësim të të dyshuarit A. G., një USB me fotografi dhe video-inçizime dhe bisedë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin e armatosur që ndodhi më 25.03.2025 në Prishtinë, nga i cili mbeti i vrarë një 62-vjeçar dhe u plagos një person tjetër.

Sipas Policisë, rreth orës 22:25 dy persona të maskuar e të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave të tjerë.

“Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha Njësitet përkatëse policore.” – njoftoi Policia, më 26.03.2025.

Derisa Policia mbrëmë, më 25.03.2025, tha se një person i dyshuar për sulmin me armë zjarri është identifikuar, por deri më tani nuk raportohet për të arrestuar.

KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes rreth incidentit me armë në Prishtinë.