Autopsia tregon se aktori i "Friends" vdiq nga efektet akute të ketaminës

Ylli i serialit amerikan “Friends” Matthew Perry vdiq si rezultat i “efekteve akute të ketaminës” dhe mbytjes së mëvonshme, tregon një raport i autopsisë.

Raporti, i publikuar të premten nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Los Anxhelosit, tregon se gjaku i Perry-t rezultoi pozitiv për ketaminë, e cila njihet për trajtimin e depresionit dhe ankthit, raporton CNN.

“Në nivelet e larta të ketaminës që gjenden në mostrat e gjakut të tij pas vdekjes, efektet kryesore vdekjeprurëse do të ishin si nga stimulimi i tepërt kardiovaskular ashtu edhe nga depresioni i frymëmarrjes” – thuhet në raport. Sipas raportit, vdekja u cilësua si aksident.

Perry u gjet duke notuar me fytyrë poshtë në pishinën e shtëpisë së tij në Pacific Palisades më 28 tetor.

Perry “u raportua se po merrte terapi me infuzion me ketaminë për depresion dhe ankth”, thuhet në raportin e autopsisë.

Raporti shpjegon më tej se ketamina ka përdorime mjekësore dhe kirurgjikale si anestetik dhe njihet gjithashtu si një ilaç rekreativ “kryesisht për shkak të natyrës së saj ‘dissociative’, që tregon shkëputjen e mendjes dhe trupit. Mund të ketë gjithashtu efekte halucinative dhe psikedelike me kohëzgjatje të shkurtër.”

Ketamina është një medikament i fuqishëm që përdoret në spitale kryesisht si anestetik, megjithëse studimet kanë zbuluar gjithashtu se ajo përdoret edhe për trajtimin e depresionit të rëndë, ankthit dhe mendimeve vetëvrasëse.

Gjendet i vdekur aktori i serialit komik “Friends”