Foto: KALLXO.com

Skandali me tenderin për armët e Policisë, të akuzuarit kundër vendimit të Gjykatës Supreme

Mbrojtësit e të akuzuarve për skandalin me tenderin për armët e Policisë së Kosovës, të dy biznesmenëve Armend Selimi dhe Astrit Pira si dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhevahire Vatovci, Kadrush Koliqi dhe Ragip Bunjaku, kërkuan në Gjykatën e Prishtinës hedhjen poshtë të aktakuzës, duke e konsideruar vendimin e Gjykatës Supremes si të kundërligjshëm.

Gjykata Supreme kishte propozuar që çështja të procedohet tutje, pasi aktakuza ishte hedhur poshtë nga Gjykata themelore dhe ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit.

“Ne konsiderojmë se vendimi i Supremes është i kundërligjshëm. Nuk është dashtë të pranohet kjo ankesë, por është dashtë të konsiderohet si e papranueshme dhe të mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës se Apelit”, tha Driton Musliu, mbrojtësi i të akuzuarit Armend Selimi.

Ai gjithashtu tha se ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit nuk ka mundur të parashtrohet mjet i rregullt juridik pasi që i njëjti ka qenë i plotfuqishëm.

Të akuzuarit në seancën e kaluar ishin deklaruar te pafajshëm për akuzat që po u vihen në barrë.

Ndërsa mbrojtësi i Astrit Pirës, Florent Latifi e konsideroi “turp dhe mëkat” të lejohet ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Ai madje gjyqtarët e Supremes që kanë vendosur lidhur me këtë i quajti “të padijshëm”.

Kurse prokurori i rastit, Atdhe Dema, propozoi që ky gjykim të zhvillohet në mënyrë të rregullt duke mos dashur të komentojë ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme.

“Sa u përket pretendimeve të mbrojtjes lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme, unë aty nuk lëshohem fare. Kjo për arsye se i njëjti vendim është marrë nga një organ më i lartë se unë dhe ligjshmëria e të njëjtit nuk vlerësohet nga unë”, tha ai.

Historiku

Njëra nga aferat e mëdha të korrupsionit në Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Brendshme është rikthyer edhe një herë në sallat e gjykatave.

Nëntë vite më parë Prokuroria e EULEX-it kishte nisur bastisjet në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërsa dyshimet ishin se tenderi për ta furnizuar me armë e pajisje Policinë e Kosovës ishte keqpërdorur.

Tre zyrtarë, dy nga ta nga Policia e Kosovës dhe një nga MPB, dhe pronarët e kompanisë që kryente furnizimin, ishin cak i këtij hetimi.

Në fillim të vitit 2015 Prokuroria Speciale ka akuzuar biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira nga kompania “Friends” si dhe Xhevahire Vatovci, Kadrush Koliqi e Ragip Bunjaku të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprimet në këtë tender.

Prokuroria i akuzon ata edhe se nga fillimi i vitit 2009 deri më 2011 pa autorizim nga autoritetet kosovare apo gjermane kanë furnizuar, transportuar, këmbyer ose i kanë shitur Policisë së Kosovës armë dhe municion të siguruar nëpërmjet tenderëve të Policisë së Kosovës.

Më tej Prokuroria u vë në barrë të akuzuarve edhe veprën penale të mashtrimit ashtu që i kanë mashtruar autoritetet kosovare dhe i kanë mbajtur nën mashtrim duke iu prezantuar pasqyrime të rrejshme dhe i kanë fshehur faktet në lidhje me kompetencën dhe autorizimin ligjor dhe kontraktues të NTP “Friends” për të përmbyllur marrëveshjen në Kosovë për blerjen e armëve dhe municionit dhe me këtë i kanë nxitur autoritetet kosovare që të përmbyllin marrëveshjet e tilla në dëm të pronës publike dhe financave që tejkalojnë shumën prej 15.000 euro në dëme.

Ata gjithashtu i kanë lëshuar Policisë së Kosovës fatura për pajisjet e përmendura në tender me çmime shumë më të larta se çmimi real, kanë importuar armët pa asnjë leje të lëshuar për import dhe shumë veprime tjera të paligjshme.

Xhevahire Vatovci Kadrush Koliqi dhe Ragip Bunjaku akuzohen se u kanë  paguar faturat e lëshuara Policisë së Kosovës për artikujt e përmendur në tenderë për shuma më të larta se çmimi real, duke mos zgjedhur kompaninë e cila kishte dorëzuar ofertën me çmimin me të ultë dhe shume veprime tjera.

Në tetor të vitit 2011, Policia e EULEX-it me autorizimin e ish-kryeprokurores Izabela Marnak kishte kryer bastisje në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës me pretendimet se gjatë tenderit për importin e armëve dhe municioneve për Policinë e Kosovës kishte pasur keqpërdorime.

Rasti atëherë kishte bërë bujë të madhe dhe ishte emëruar si skandali i armëve të Policisë së Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2011 kallxo.com kishte raportuar se biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira me tri nga kompanitë e tyre, “Jolix”, “Friends” dhe një firmë tjetër, “Amici”, që nga 2007 kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Katër vjet pas bastisjeve, në janar të vitit 2015, EULEX-i nëpërmjet një komunikate njoftoi se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave duke përfshirë këtu edhe zyrtarët e lartë të Policisë dhe MPB-së.

Aktakuza në fjalë ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe e njëjta ishte marrë në shqyrtim nga një trup gjykues i drejtuar nga gjykatësja Mariola Pasnik.

Më 28 maj të vitit 2015 Gjykata e Prishtinës hodhi poshtë aktakuzën me arsyetimin se prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit.

Prokurorja e rastit, Izabela Marnak, e pakënaqur me këtë vendim në afatin ligjor kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën Apeli e refuzoi.

Ankesë ishte bërë edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykata Supreme me aktvendim ka rekomanduar që kjo çështje të procedohet tutje duke e kthyer rastin përsëri në Gjykatën e Prishtinës.

Skandali i Armëve të Policisë ri aktualizohet pas 9 vjetësh

www.kallxo.com

Shënim: Aktakuza për këtë rast është hedhur me vendim të formës së prerë, dhe procedura ka pushuar për të gjithë të akuzuarit – Koha e editimit: 05.04.2024