Auditori: Presidenca pagoi mbi 2 mijë euro përtej vlerës së kontraktuar për pajisje kundër COVID-19

Zyra e Presidentit gjatë vitit 2020 kishte realizuar pagesa shtesë prej 2,276 euro për furnizimin me pajisje mbrojtëse për COVID-19.

Sipas raportit të auditimit, Zyra e Presidentit në kontratën për furnizim me pajisje mbrojtëse kundër përhapjes së virusit COVID-19 kishte përmbushur vlerën e kontraktuar, por përkundër kësaj, ZPRK kishte pranuar furnizime dhe kishte ekzekutuar pagesën në vlerë 2,276€ përtej vlerës së kontraktuar, të cilat ishin me çmimin e njëjtë të kontratës së përmbushur.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se arsyeja e realizimit të furnizimeve dhe pagesës ishte situata e pandemisë dhe nevoja për furnizime të shpejta kundër përhapjes me Covid-19.

Auditori thotë se ekzekutimi i pagesave përtej kontratës rrit rrezikun e pagesave të parregullta, derisa ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë kontrolle efektive në mënyrë që asnjë pagesë të mos kryhet në mungesë të kontratës apo ndonjë bazë të qartë ligjore.

Në anën tjetër baza ligjore thotë se rregulla financiare Nr.1/2013, neni 25 pika 1 dhe 2 definon se para se të regjistrohet shpenzimi në SIMFK, dokumentacioni për pagesë dorëzohet te zyrtari çertifikues, i cili është përgjegjës që dokumentacioni të jetë i kompletuar, në të kundërtën zyrtari certifikues nuk do ta certifikojë dokumentacionin për pagesë.