Auditori: Ministria e Ekonomisë i dha tender kompanisë që nuk plotësoi kërkesat që lidhen me kapacitetin teknik dhe profesional

Ministria e Ekonomisë ka shpërblyer me tender një kompani e cila nuk i ka plotësuar kërkesat lidhur me kapacitetin teknik dhe profesional. Kjo gjetje është evidentuar në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023.

Bëhet fjalë për tenderin “Krijimi i Qendrës për Ekselencë Digjitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP)-Prizren – Laboratori RF”, i cili ishte në vlerë 459 mijë euro.

Ministria e Ekonomisë kishte kërkuar që operatori ekonomik “të dorëzojë listën e projekteve të realizuara në tri vitet e fundit për furnizime apo shërbime të ngjashme në vlerë së paku 478 mijë e 561 euro, e dëshmuar me referencë pozitive apo raporte të pranimit teknik”.

ZKA ka gjetur se operatori ekonomik krahas listës së projekteve të realizuara nuk kishte dorëzuar edhe referencat pozitive apo raportet e pranimit teknik në vlerën e kërkuar për projektet e realizuara në tre vitet e fundit. Në raport thuhet se vlera e projekteve të realizuara në tre vitet e fundit sipas listës së dorëzuar ishte 562 mijë e 165 euro, ndërsa vlera e dëshmuar me referenca ishte vetëm 72 mijë euro.

“Mosplotësimi i kritereve të kërkuara ka rezultuar me dhënie të kontratës operatorit i cili nuk ka përmbushur kërkesat e kapacitetit teknik dhe profesional të përcaktuara në dosjen e tenderit, përkatësisht njoftimit për kontratë”- thuhet në raportin e auditorit.

ZKA ka rekomanduar që “ministrja përmes personave përgjegjës të sigurojë që komisionet vlerësuese përfillin të gjitha kriteret e kërkuara me dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë, dhe se vendimi për dhënie të kontratës bëhet vetëm pas marrjes së sigurisë së të gjitha kërkesat janë përmbushur”.

raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 ZKA ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.

Raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë  ka rezultuar me katër rekomandime, prej tyre dy janë rekomandime të reja dhe dy janë të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili publikohet në qershor të vitit 2025.

Në raportin e vitit 2022, Ministria e Ekonomisë kishte marrë pesë rekomandime. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, tri rekomandime ishin zbatuar si dhe dy ishin pjesërisht të zbatuara.