Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com
Auditori: Komuna e Gjakovës nuk mban evidenca se sa shpenzon për automjetet zyrtare
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Gjakovës nuk mban evidenca se sa shpenzon për automjetet zyrtare.
Në raportin e ZKA-së për Komunën e Gjakovës për vitin 2022, thuhet se komuna nuk mban asnjë evidencë ditore rreth kilometrazhit të shfrytëzuar për secilën veturë zyrtare.
“Për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, nuk ka kërkesa dhe as plotësim të fletë udhëtimeve për udhëtim zyrtar” – thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, komuna ende nuk e ka të miratuar një rregullore për përdorimin e automjeteve zyrtare, si dhe nuk është duke e zbatuar Udhëzimin Administrativ të MAPL-së, për përdorimin e automjeteve zyrtare.
“Shkaku ishte mungesa e kontrolleve të brendshëm dhe neglizhenca e zyrtarëve përgjegjës për t’i zbatuar rregullat e përcaktuara sipas udhëzimit administrativ” – thuhet tutje në këtë raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë edhe një rekomandim kryetarit të komunës, Ardian Gjiit, duke i kërkuar që të sigurohet që të mbahen evidencat për përdorimin e automjeteve zyrtare.
“Kryetari, duhet të sigurojë që përdorimi i automjeteve dhe mbajtja e evidencave të tyre bëhet sipas kërkesave ligjore, si dhe të iniciojë hartimin e një rregulloreje të brendshme për mënyrën e përdorimit të automjeteve zyrtare” – rekomandon ZKA-ja.
Komuna e Gjakovës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjakovës për vitin 2022.
Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.