Auditori Gjeneral i Kosovës flet për sfidat e pranimit në EUROSAI

Auditori Gjeneral i Republikës së Kosovës në një intervistë ekskluzive të KALLXO.com ka folur për sfidat e pranimit në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)

EUROSAI është një nga grupet rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e cila u krijua në vitin 1990 dhe atëherë kishte 30 anëtarë, Institucione Supreme të Auditimit të 29 shteteve Evropiane dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Osmani ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditmit para se të merrej ky vendim ka qenë subjekt i shumë analizave nga SIGMA e cila e ka renditur këtë institucion si ndër më të rëndësishmit në Ballkan.

“Ka pasur nevojë që të ketë shumë aktivitete përgatitore, e para duhet ta bësh punën që vetë të jesh një isntitucion i auditimit ku ke besimin e publikut në vendin tënd. Ka analiza të shumta që bëhen, ne kemi qenë edhe subjekt i analizave për pavarësi, transparencë dhe llogaridhënie që është bërë nga Sigma, e cila institucionin tonë e ka renditur si një ndër më të rëndësishmet në Ballkanin perëndimor,” ka thënë Osmani.

Sfidë tjetër ka qenë edhe Spanja pasi Sekretariati i kësaj organizate është i vendosur në Madrid, por sipas Osmanit Zyra e Auditimit nuk është politike.

“Sekretariati ëshët i alokuar me bazë në Madrid të Spanjës. Mospengimi nga ana e Spanjës është pasi kjo nuk është organizatë politike”, ka shtuar tutje Osmani.

Ndër vite numri i anëtarëve të EUROSAI-t ka arritur në pesëdhjetë ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është anëtari më i ri, i 51-ti me radhë.

Zyra Kombëtare e Auditimit kishte aplikuar për anëtarësim në EUROSAI më 24 shkurt 2020, ndërsa shqyrtimi i vendimit për anëtarësim ishte vendosur në agjendën e takimit të Bordit Drejtues të EUROSAIT të planifikuar të mbahej në qershor 2020.

Për shkak të pandemisë me COVID -19 ky takim ishte shtyrë për një kohë, ndërsa takimi u realizua online sot me 12 nëntor 2020.

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës anëtarësohet në Organizatën Evropiane të Auditorëve