Anëtarësimi i Zyrës së Auditimit të Kosovës në EUROSAI, Serbia ankohet se u shkel marrëveshja e Uashingtonit

Auditori Gjeneral i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, në një intervistë ekskluzive ne KALLXO.com ka folur për sfidat e pranimit në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)

Lidhur me këtë antarësim ka pasur reagime të shumta kurse Serbia i është referuar marrëveshjes së Uashingonit për një moratorium prej një viti ku Kosova nuk aplikon për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Marrëveshja e Uashingtonit ka ardhur në ndërkohë, aplikimi ka qenë më 24 shkurt 2020 kurse vendimi është dashur të merrej në qershor, por është shtyrë për sot për shkak të pandemisë. Ka pasur reagime të vendeve tjera që ky vendim të shtyhet për një ditë tjetër. Nuk pres që do të marr ndonjë urim nga ana e Serbisë ashtu si kam marrë nga vende anembanë botës, por ne duam bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje që të kemi shkëmbim të informacioneve dhe përvojave tona, pse jo edhe me Serbinë në të ardhmen,” ka thënë Osmani.

Tutje Osmani ka shtuar se pro Kosovës kanë votuar 2\3 e vendeve, kurse dy kanë abstenuar..

“Pro Kosovës ka votuar 2\3 e anëtarëve, dy vota kanë qenë neutrale, Spanja dhe Moldavia. Serbia nuk ka pasur të drejtë vote edhe pse është anëtare, por bordi e merr vendimin për pranim i cili ka 9 anëtarë. President i EUROSAI është Turqia dhe kemi pasur shumë bashkëpunim. Ministria e Punëve të Jashtme dhe presidenti kanë qenë të informuar kurse miratimin e kam marr në janar 2020,” shtoi tutje Osmani.

Ky anëtarësim është arritur përkundër se me nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi më 4 shtator të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova u pajtua që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

EUROSAI është një nga Grupet Rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e cila u krijua në vitin 1990 dhe atëherë kishte 30 anëtarë, Institucione Supreme të Auditimit të 29 shteteve Evropiane dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës anëtarësohet në Organizatën Evropiane të Auditorëve