Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës anëtarësohet në Organizatën Evropiane të Auditorëve

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës sot zyrtarisht është pranuar në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)

Siç merr vesh KALLXO.com Bordi Drejtues i EUROSAI në takimin e mbajtur sot, ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë organizatë.

Ky anëtarësim është arritur përkundër se me nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi më 4 shtator të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova u pajtua që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

EUROSAI është një nga Grupet Rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e cila u krijua në vitin 1990 dhe atëherë kishte 30 anëtarë, Institucione Supreme të Auditimit të 29 shteteve Evropiane dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Ndër vite numri i anëtarëve të EUROSAI-t ka arritur në pesëdhjetë ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është anëtari më i ri, i 51-ti me radhë.

Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte aplikuar për anëtarësim në EUROSAI me 24 shkurt 2020, ndërsa shqyrtimi i vendimit për anëtarësim ishte vendosur në agjendën e takimit të Bordit Drejtues të EUROSAIT të planifikuar të mbahej në qershor 2020.

Për shkak të pandemisë me COVID -19 ky takim ishte shtyrë për një kohë, ndërsa takimi u realizua online sot me 12 nëntor 2020.

Për të folur lidhur me këtë anëtarësim, KALLXO.com ka realizuar intervistë ekskluzive me Auditorin Gjeneral në Kosovë, Besnik Osmani.

Intervistën mund ta ndiqni më poshtë: