Sheshi i Vushtrrisë/ Ilustrim

Auditori gjen se pllakat në sheshin e Vushtrrisë nuk u shtruan sipas kontratës

Dimensioni i pllakave që ishin paraparë të shtroheshin në sheshin e Vushtrrisë në disa vende nuk ishte i njëjtë me dimensionet e parapara në kontratë.

Madje sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, vende-vende pllakat ishin zëvendësuar edhe me kubëza (kalldrëm vendor), duke devijuar kështu nga plani për të cilin është dhënë tenderi.

Auditori në raportin vjetor për Komunën e Vushtrrisë ka evidentuar mangësi në certifikimin e pagesave dhe menaxhimin e pesë kontratave.

Te kontrata “Ndërtimi i sheshit Ahmet Krasniqi në qytetin e Vushtrrisë” prej 93,664 euro, përmes ekzaminimit fizik, Auditori ka gjetur se pozicioni 1 në kuadër të pjesës D-Punët e veshjeve finale për vendosjen e pllakave të betonit nga gurët natyral nuk ishte realizuar sipas dimensioneve të kontraktuara me kontratë.

Pllakat ishin të kontraktuara me dimensione: 30*20*12cm ndërsa janë vendosur me dimensionet 60*40*12cm. Përveç kësaj, në kundërshtim me kontratën/projektin, Auditori ka evidentuar se rreth vijës kufizuese të hapësirës së sheshit, pllakat e betonit ishin zëvendësuar me kubëza (kalldrëm vendor) me dimensione 10*10*10cm.

Në raportin e Auditorit për vitin 2019 thuhet se të gjitha këto ndryshime në realizimin e kontratave janë bërë pa aprovimet e Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe zyrës së prokurimit ashtu siç kërkohet me ligjin dhe rregullat/udhëzuesin për prokurimin publik.

“Duhet theksuar se menaxherët e kontratave nuk ishin në njohuri për kërkesat ligjore për prokurimin publik lidhur me aprovimet e nevojshme për ndryshimin e kontratave”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit, ekzekutimi i punëve në kundërshtim me paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar pa aprovimin e zyrës së prokurimit dhe Zyrtarit Kryesor Administrativ shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë.

Më tej Auditori thekson se kjo mund të ndikojë në cilësinë e punëve të kryera si dhe mund të rezultojë që për shkak të ndryshimit të kushteve të kontratës nuk është përzgjedhur operatori më i lirë. Ndërsa pagesat për punë të pa kryera mund të rezultojë me dëmtim të buxhetit dhe keqpërdorim të parasë publike.

“Kryetari duhet të siguroj se menaxherët e kontratave dhe certifikuesi aplikojnë kontrolle efektive në procesin e shpenzimit të parasë publike për tu siguruar se pagesat bëhen vetëm sipas çmimeve të kontraktuara dhe punëve/furnizimeve të realizuara. Po ashtu, për gabimet financiare dhe ndryshimet e identifikuara, komuna duhet të sigurohet se do të bëhet kthimi i mjeteve financiare në buxhetin e komunës dhe realizohen aprovimet e nevojshme për kontratat të cilat ende nuk janë përmbyllur”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për Xhafer Tahirin, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë.