ATK dhe Prokuroria e Shtetit me marrëveshje të re për ta luftuar korrupsionin

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me të cilin synojnë rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

Ky memorandum është nënshkruar sot nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe i pari i ATK-së, Ilir Murtezaj.

Krerët e këtyre dy institucioneve janë marrë vesh që ATK ta pajisë Prokurorinë e Shtetit me të dhëna dhe informacione të mjaftueshme, për persona të caktuara dhe personat juridik që dyshohen që kanë kryer ndonjë vepër penale.

Këto të dhëna do t`i dërgohen Prokurorisë së Shtetit në momentin kur nga analiza elektronike e sistemit informativ identifikohet ose konstatohet çdo shpërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të subjekteve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë.

Sipas kësaj marrëveshje informacionet e bartura nga ATK do t’i shërbejnë Prokurorit të Shtetit si indikacion fillestar për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale të cilat ndiqen sipas legjislacionit në fuqi.

Me rastin e lidhjes së këtij bashkëpunimi Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se ky memorandum do t’i shërbejë Prokurorit të Shtetit dhe ATK-së për t’i evidentuar të gjithë ata persona apo grupe të caktuara të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme.

Ai shtoi se të njëjtit do të ndiqen penalisht për veprimtaritë e tyre kriminale.

Ndërkaq, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, është zotuar se do t`i përmbahen në përpikëri këtij memorandumi të bashkëpunimit duke i ofruar të gjitha informatat e nevojshme Prokurorisë së Shtetit.

Kjo marrëveshje e lidhur në mes të këtyre dy institucioneve do të mundësojë një komunikim më të drejtpërdrejt, të vazhdueshëm dhe të pandërprerë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.