Asistenti i Universitetit të Salzburgut anëtarësohet në LVV

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se sot partisë së tij i është bashkuar Shkumbin Halabaku, asistent në Universitetin e Salzburgut në Austri,

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se Halabaku është nga Pozherani i Vitisë.

“Ai ka përfunduar për shkenca politike në Kolegjin Utica në New York, ndërsa studimet e nivelit master në shkenca politike, integrim e qeverisje në Universitetin e Salzburgut në Austri. Tani punon si asistent në këtë Universitet dhe ligjëron lëndë të ndryshme që janë të përfshira në drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe negociatave ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në facebook.

Tutje Kurti ka thënë se me të rinjtë dhe qeverisjen e LVV-së, Kosovën e pret një e ardhme më e mirë.

“Shkumbini është anëtari më i ri të cilit sot i urova mirëseardhje në Lëvizje. Me të rinj e të reja profesioniste që kanë mbaruar studimet jashtë e brenda vendit, dhe me qeverinë tonë të re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kosovën e pret një e ardhme e ndritur”, ka theksuar Kurti.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të saj do të ketë edhe listën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Kësaj liste do t’i prijë Albin Kurti i cili synon të bëhet kryeministër i Kosovës.