Foto: Ilustrim

"Artpolis" me rekomandime për adresim të seksizmit dhe ngacmimeve seksuale

Organizata “Artpolis” ka publikuar një raport hulumtues sa i përket adresimit të seksizimit dhe ngacmimit seksual në Kosovë.

Në këtë raport, kjo organizatë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që të ndërmarrin hapa për parandalimin e kësaj dukurie.

“Aktivistet gra kanë argumentuar për përfshirjen e të dhënave të sakta që kanë të bëjnë me të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, sipas ndryshimeve të fundit të KPK-së për të krijuar ose zgjeruar bazën ekzistuese të të dhënave të drejtuar nga Ministria e Drejtësisë që monitoron rastet e dhunës në familje”, thuhet në raport.

“Artpolis” po ashtu rekomandon që të angazhohen edhe ekspertë gjinorë në finalizimin e bazës së të dhënave në mënyrë që të sigurohet prodhimi i raporteve të drejtpërdrejta që publiku të mund ta përdorë në monitorimin e trajtimit të përgjithshëm të rasteve të dhunës me bazë gjinore, përfshirë informacionin mbi normat e dënimit të rasteve të ngacmimit seksual.

“Nevoja për të trajtuar veçmas seksizmin duhet të parashikohet gjithashtu në Ligjin e ri për Dhunën ndaj Grave, aktualisht nën iniciativën e Kuvendit të Kosovës”, thuhet më tej.

Organizata po ashtu thotë se Universiteti i Prishtinës duhet urgjentisht të emërojë Zyrtarin për Mbrojtjen nga Ngacmimet dhe të sigurojë resurse profesionale dhe buxhetore për të futur në shfrytëzim mekanizmin raportues të politikës.

“Meqenëse zbatimi i Politikës për Ngacmim Seksual të Universitetit të Prishtinës është i dobët, resurset, mekanizmat e raportimit dhe ankimimit akoma metet të zhvillohen, pasuar nga një sërë trajnimesh të ofruara për stafin akademik dhe administrativ të UP -së, dhe për studentët për t’ua prezantuar përmbajtjen e politikës së ngacmimit seksual”, thuhet në rekomandimet.

Sipas tyre, përmbajtja e politikës së ngacmimit seksuale të UP -së duhet të jetë e disponueshme në internet në të gjitha fakultetet e ndryshme të UP -së dhe fletëpalosjet informative duhet të prodhohen dhe shpërndahen për studentët duke postuar edhe afishe të dukshme dhe detajet e kontaktit për raportim.

“Në mënyrë të ngjashme, universitetet e tjera publike duhet të rishikojnë ose hartojnë politika të reja të ngacmimit seksual në përputhje me përmbajtjen e politikës së UP-së për zhvendosjen e barrës së provës dhe ligjin kundër diskriminimit të Kosovës, të përfshijnë përkufizime të hollësishme të sjelljeve të ngacmimit seksual dhe sjelljeve seksiste, të detajojnë mekanizmat e ankesave me sanksionet llogaridhënëse të parashikuara”, thotë raporti.

Kjo organizatë po ashtu ka kërkuar që të ofrohet trajnimi për mediat e që gjithashtu të ketë për qëllim të trajnojë edhe personelin menaxhues redaktues mbi rëndësinë e sjelljes joseksiste në punën me publikun.

“Trajnime të tilla duhet të përfshijnë përkufizimin e seksizmit, manifestimet e ndryshme të seksizmit, mënyrat për të ç’ndërtuar stereotipet dhe paragjykimet gjinore dhe se si të reagohet ndaj tyre”, thuhet më tej.

“Trajnimet dhe monitorimi aktiv nga institucionet përgjegjëse dhe OJQ-të, aktive në fushat e adresimit të ngacmimit seksual dhe seksizmit, duhet të sigurojnë që mediat të inkurajohen të luajnë një rol edukues dhe konstruktiv për të mos përjetësuar qëndrimet seksiste në diskursin publik dhe të angazhohen në rishikimin e kurrikulave të shkollës së gazetarëve për një raportim të ndjeshëm ndaj gjinisë”, thuhet në fund të rekomandimeve.

Raporti i plotë i organizatës: Call-to-Action_alb_print (2)