Arsyetimi i u.d. Drejtorit Gjeneral për suspendimin e kryeredaktorit të portalit të RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur dje ka diskutuar për arsyet e suspendimit të kryeredaktorit të portalit, Altin Ahmeti.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK- së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka theksuar se i njëjti sipas tij ‘ka bërë shkelje të tjera’.

“Unë mundem me ju tregu që kam dërguar sot tek administrata dosjen për z.Ahmeti, këtu i kam të argumentuara shumicën e shkeljeve që i kam evidentuar gjatë kohës sa kam qenë i kam shkruar edhe për dy tri raste të tjera”, tha ai.

Në anën tjetër, Altin Ahmeti në një postim të tij në Facebook ka shkruar se gabimi në gazetari ka emër dhe mbiemër. Ai ka shkruar se si kryeredaktor e ka të pamundur që t`i kontrollojë rreth 400 lajme të cilat publikohen brenda një dite në portalin e RTK-së.

“Në gazetari gabimi ka emër ,mbiemër dhe është personal. Në disa media të ndryshme, për shkak të informatave të dala jo zyrtarisht nga njerëz brenda RTK-së , informata këto gjysmake të cilat më kanë njollosur personalisht dhe profesionalisht, u raportua se unë, Altin Ahmeti, jam shkarkuar apo suspenduar nga pozita e kryeredaktorit të uebfaqes së RTK-së”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka shkruar se pikërisht për këtë arsye gazetarët që punojnë në portalin e RTK-së mbajnë pozitën – Gazetar/Redaktor. Ai ka thënë gjithashtu se e ka njoftuar u.d. Drejtorin e RTK-së për të gjitha këto çështje.

Të premten në tri media në Kosovë, Gazeta Express, Ekonomia Online  dhe rtklive.com është publikuar një lajm  me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, mirëpo në një pjesë të lajmit është porosia: “(mundesh me hjek krejt, veç nëse do m`i qepu Vjosës).

Presidenca ka vlerësuar se në këtë rast është bërë raportim joprofesional duke u bërë thirrje mediumeve përkatëse të kërkojnë falje publike.