Arrihet marrëveshja për përdorimin e rrugëve që kalojnë pranë Manastirit të Deçanit

Sot është arritur marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media të Zyrës së Kryeministrit, marrëveshje e cila thonë se u arritë me ndërmjetësimin e Kryeministrit Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

“Mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.. Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone”, thuhet në kumtesë.

Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, sipas tyre, dëshmohet se Republika e Kosovës  është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.

Ndërkaq, Zyra e BE-së në Kosovë orë më parë njoftoi se më 9 nëntor u zhvillua takimi i Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (KZM), nga e cila u miratua një aranzhim për rehabilitimin e rrugëve në komunën e Deçanit

“KZM miratoi një aranzhim për rehabilitimin e rrugëve në komunën e Deçanit duke e respektuar Ligjin përkatës të Kosovës nr. 03 / L-039 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (ZVM) të datës 15 qershor 2008. Aranzhimi përfshin zhvillimin sinkron/të​ njëkohshëm të dy rrugëve, asaj ndërkombëtare të bajpasit jashtë kufijve të ZVM dhe të një rruge lokale brenda ZVM. Me këtë synohet nxitja e marrëdhënieve ndër-komunitare përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore fetare dhe forcimi i zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit”, thuhet në njoftim.

Aranzhimi u lehtësua nga Ambasadori Italian në Kosovë Nicola Orlando, me mbështetjen dhe ekspertizën e siguruar nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi.

KALLXO.com është duke pritur përgjigje nga Zyra e BE-së në Kosovë për detaje shtesë të kësaj marrëveshjeje.

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefon.