Arma lodër e sekuestruar në Mitrovicë të Veriut. Foto: KALLXO.com

Arrestohet personi që dyshohet se u soll në mënyrë agresive me Karabinierët në Mitrovicë të Veriut

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për arrestimin e një personi në Mitrovicën e Veriut më 29.02.2024.

Sipas një njoftimi për media, i dyshuari u arrestua nga Policia e Kosovës pasi ai filloi të sillej në mënyrë agresive ndaj një patrulle të Karabinierëve.

Njoftimi tregon se personeli i KFOR-it u sigurua duke mbajtur armët dhe e urdhëroi të dyshuarin të ndalonte sjelljen e tij agresive.

KFOR tha se në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishme dy ekipe të Policisë së Kosovës, të cilët rrethuan dhe arrestuan të dyshuarin.

“Arma është identifikuar si një kopje e një pistolete Walther P99” – tha KFOR.

Tutje, sipas njoftimit, i dyshuari është i njohur për autoritetet lokale si një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor.

KFOR tha se i dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim dhe është në pritje të procedurave të mëtutjeshme ligjore.

(Shënim: Ky artikull është edituar, me ç’rast është hequr pjesa e fjalisë e cila thoshte se i dyshuari kishte një armë me vete. Koha e editimit 21:30h, më 29.02.2024.)