Ilustrim

Arrestohet një ish-zyrtar i gjendjes civile në Gjakovë, dyshohet se regjistroi kundërligjshëm një shtetas të Shqipërisë

Një ish-zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Gjakovës është arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë në Gjakovë, nën dyshimin se ka regjistruar në sistem një shtetas të Shqipërisë, në mënyrë të kundërligjshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari D.N., kundërligjshëm e ka futur në sistemin e gjendjes civile një shtetas të Shqipërisë, duke konsumuar veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

“Deri tek dyshimet bazike është ardhur pasi për shtetasin J. S. kishte mospërputhje tek disa të dhëna personale të regjistruara në sistem, me ato të certifikatës së kurorëzimit nga Republika e Shqipërisë. Identiteti i saktë i shtetasit është kërkuar përmes rrugëve zyrtare nga ku ka rezultuar se personi i dyshuar ka të njëjtat të dhëna si personi i regjistruar në Kosovë përveç datëlindjes” – ka bërë të ditur Policia.

I dyshuari D.N. me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë ndërsa shtetasi i Shqipërisë J.S., do të intervistohet sapo të sigurohet prezenca e tij.