Arrestohet i dyshuari për vjedhje të një lap topi, tre telefonave dhe gjësendeve tjera personale

Është arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”. Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH) gjatë ditës së djeshme ka pranuar ankesë nga një shtetas arab se personi i dyshuar, përderisa vetura e viktimës ishte e parkuar, kishte vjedhur një lap top, tre telefona mobil, 7,000 franga zvicerane, 200 euro, 326 dollarë amerikan, një palë syze, tri paketime cigare dhe një parfum.

Viktimat raportuan në NJRSH gjatë kohës kur këta të fundit ishin duke patrulluar në rrugën “Ker Sadria” Pejë – Rugovë.

“NJRSH së bashku me viktimat e rastit kanë gjurmuar njërin nga telefonat për lokacionin e tij, Policia iu është vënë pas, dhe kanë arritur që ta ndalojnë të dyshuarin në fshatin Qerim – Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollimit të veturës së të dyshuarit, gjërat e vjedhura janë konfiskuar dhe më pas me urdhër të Prokurorit të shtetit gjësendet e vjedhura u janë kthyer viktimave, ndërsa i dyshuari është dërguar në ndalim prej 48 orëve.