Foto: Ilustrim

Arrestohet i dyshuari i cili qarkullonte me armë zjarri

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar 30 vjeçar i cili qarkullonte në Tiranë me armë zjarri.

Policia ka bërë të ditur se nga qytetarët ka pranuar informacionin se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit.

“Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, i dyshuari gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.