Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Arrestohet gruaja e cila para disa ditësh raportoi se u dhunua seksualisht dhe iu grabitën stoli ari, policia thotë se ajo raportoi rrejshëm rastin

Ditë më parë, N.R., një grua nga Gjilani kishte raportuar në polici se ishte dhunuar seksualisht nga persona të maskuar, i kishin grabitur me forcë stolitë e arit dhe ia kishin rrahur djalin.

Policia e Rajonit të Gjilanit bashkë me Prokurorinë Themelore të Gjilanit kanë dalë me njoftime shtesë në lidhje me rastin. Gruaja po dyshohet se kishte lajmëruar rrejshëm ngjarjen që pretendoi se kishte ndodhur pas mesnatës më 25.05.2024.

“E dyshuara e lartshënuar më datë 25 maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës të datës 30.05.2024.

Gruaja që kishte raportuar dhunimin seksual tashmë po konsiderohet si një person i dyshuar për veprën penale të deklarimit apo lajmërimit të rremë.

KALLXO.com mëson se e njëjta kishte raportuar se i ishin vjedhur edhe stoli ari nga kjo ngjarje ndërsa provat materiale duke përfshirë këtu edhe video-incizimet që ka siguruar prokuroria kanë dëshmuar se e njëjta nuk posedonte diçka të tillë në kohën kur pretendohej se kishte dalë nga vendi ku jetonte bashkë me djalin e saj.

Ngjarja mori vëmendje për shkak të veprimeve që pretendohej fillimisht se kishin ndodhur, ngriti alarmin në institucionet e rendit në Gjilan dhe të njëjtit kishin nisur një hetim intensiv për ngjarjen.

Gjatë ditës së djeshme (29.05.2024) KALLXO.com mëson se e dyshuara ishte arrestuar ndërsa gjatë intervistimit rasti kishte marrë kahje tjetër. Provat kishin dëshmuar se gruaja në bazë të njoftimit të prokurorisë, kishte raportuar rrejshëm në polici.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”- thuhet në njoftim.

Pas intervistimit të së njëjtës dhe djalit të saj, me urdhër të prokurorit gruaja është dërguar në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.

Gjilan, një grua dyshohet se u dhunua dhe u grabit derisa ishte duke ecur me djalin e saj të mitur