Ilustrim

Arrestohen tre burra në Lipjan për blerje të veturës me mashtrim

Tre burra janë arrestuar dje në Lipjan dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i tyre ka ndodhur për shkak se ata kanë qenë të përfshirë në një rast të cilësuar si mashtrim dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

Policia ka shpjeguar se ngjarja ka filluar kur njëri nga të dyshuarit ka blerë një veturë por nuk ia ka dhënë paratë shitësit, në këtë rast viktimës.

Më pas, PK-ja ka shpjeguar se i dyshuari i parë veturën e viktimës ia ka shitur të dyshuarit të dytë, kurse i dyshuari i dytë ia ka shitur veturën të dyshuarit të tretë.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se dyshohet se njërit prej tyre viktima mashkull kosovar ia kishte shitur një veturë por paratë nuk i kishte marr nga i dyshuari. I dyshuari i parë veturën e viktimës ia kishte shitur të dyshuarit të dytë, kurse i dyshuari i dytë  ia kishte shitë të dyshuarit të tretë. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë” – thuhet në njoftimin e policisë.