foto: Ilustrim

Arrestohen 2 inspektorë të ATK-së, dyshohet se morën ryshfet nga pronari i një biznesi në Fushë-Kosovë

Policia e Kosovës sot ka arrestuar dy inspektorë të ATK-së nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Sipas Policisë, të dyshuarit gjatë inspektimit të rregullt që e kanë bërë në një biznes në Fushë-Kosovë, kanë hasur në parregullsi por nuk e kanë ndëshkuar pronarin dhe për këtë kanë kërkuar para në vlerë prej 50 euro.

“Me datë 13.02.2020 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektor tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt që kanë kryer në një biznes, me lokacion në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullësi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë rryshfet në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro”, thuhet në njoftim për media.

Tutje Policia thotë se pas pranimit të informatës janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku dhe janë siguruar provat e rastit, si monedha në vlerë prej 50€ e cila ishte në pronësi të njërit nga personat e dyshuar.

“Të dyshuarit janë shoqëruar në zyret e NJHRKEK – Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar personave të dyshuar u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë”, përfundon komunikata.