Ardita Sinani: Aktivizim kundër pasivizimit, sot është dita

Krahas zgjedhjeve që po mbahen në Serbi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka deklaruar se sot është dita për aktivizim kundër pasivizimit në Luginën e Preshevës.

Sinani bëri thirrje për votim teksa shtoi “vazhdën e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore, të shoqëruar tashmë edhe me politikat e pasivizimit, duhet të jemi çdo herë e më shumë aktiv”.

“Aktivizim kundër pasivizimit. Sot është dita. Dita kur si qytetar zgjedhim ata dhe ato që do të flasin dhe veprojnë në emrin tonë në parlament. Në vazhdën e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore, të shoqëruar tashmë edhe me politikat e pasivizimit, duhet të jemi çdo herë e më shumë aktiv. Për deputet e deputete cilësorë dhe të rreshtuar drejt. Që janë përherë në koalicion me shqiptarët. Me interesin e përgjithshëm. Votoni”, ka shkruar Sinani në rrjetin social “Facebook”.

Serbia është duke mbajtuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Para disa minutash u deklarua edhe kandidati për deputet nga Alternativa Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi.

Arifi tha se përmes votës po dërgohet edhe një mesazh kundër Beogradit, për, siç tha ai, mohim të të drejtave që iu janë bërë që dy dekada.

“6 mijë deri 10 mijë qytetarë nuk kanë mundësi sot të votojnë. Na e shofim edhe lëvizjen e madhe nga Kosova që vinë në drejtim të Bujanocit. Na e shohim një politikë proaktive të Qeverisë së Serbisë për ta ruajtur fuqinë e tyre. Ne shohim edhe një neglizhencë të Qeverive – kosovare të cilët po na lajnë në mëshirën edhe mundësive tona, kjo është fatkeqësia jonë”, u shpreh ai.

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.

Në garë janë koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi.

KALLXO.com ka raportuar sot se dhjetëra qytetarë serbë janë nisur drejtë Rashkës për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presindenciale të Serbisë te cilët po mbahen gjatë ditës se sotme.