Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook

Arben Vitia kërkon zbatimin e Ligjit që e kishte shkelur vetë 5 muaj më parë

Ndonëse pesë muaj më parë vetë kishte thyer Ligjin për kontrollin e duhanit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kërkuar që ky Ligj të zbatohet pa kompromis.

Sot, Vitia ka takuar kryeinspektorin sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, me të cilin ka folur për problemin e moszbatimit e plotë të Ligjit për kontrollin e Duhanit, që e ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura.

“Ministri Vitia kërkoi që të njoftohen të gjitha subjektet ku zhvillohet kjo veprimtari se nuk ka arsye për mos respektim të ligjit dhe në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë kompromis” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo Ministri ka thënë se do të bashkëpunojë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të realizuar këtë synim.

“Të gjithë ata që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji si individ apo subjekte do të gjobiten nga inspektorët në terren” – është shkruar më tej në njoftim.

Ministri Vitia në korrik të këtij viti ishte incizuar duke pirë duhan në një lokal brenda hapësirave të mbyllura.

Ai më pas pati pranuar se edhe pse ambienti ku ka konsumuar duhan ka qenë terasë, ai nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë ambient i mbyllur dhe kishte thënë se gjobat duhet të shqiptohen dhe Ligji duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtim.