Blerim Vela

Analisti u quan 'një hap para e dy mbrapa' ofertën e LDK-së për koalicion

Analisti politik, Blerim Vela, e ka konsideruar ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës bërë Lëvizjes Vetëvendosje si ‘një hap para dhe dy hapa pas’

Sipas tij, oferta e sotme e LDK-së e ka vetëm një ide të dobishme.

“Oferta e LDK e ka vetëm një ide te dobishme për kompromisin me LVV – heqjen dorën nga udhëheqja e ministrive specifike (MPB). Ne anën tjetër, është përsëritje e qëndrimeve qe kane çuar ne bllokim te diskutimeve me LVV”, ka shkruar Vela në facebook.

Sipas tij propozimi i LDK-së për postin e presidentit dhe të kryesisë së Kuvendit, e vendosin LVV në pozitën e humbësit të zgjedhjeve.

“LDK vazhdon te insistoj qe Presidenti të nominohet nga LDK dhe që 2 nga 6 anëtarët e Kryesisë se Kuvendit ti takojnë asaj. Një ndarje e tille e përgjegjësive institucionale e bëjnë LVV parti te minorances ne qeverisje, jo parti qe ka fituar zgjedhjet”, tha ai.

Ndërsa për pikën e fundit në të cilën LDK-ja ka thënë që është e gatshme ta votojnë qeverinë Kurti dhe vet të qëndroj në opozitë, është përgatitje e terrenit për zgjedhje.

“Pika e fundit e ofertës për qeveri të minorances paraqet ftese për vazhdimësi të jo stabilitetit institucional. Për me tepër, është përgatitje e terrenit për zgjedhje te parakohshme ne rastin e pare qe ka mospajtime te theksuara mes LVV dhe LDK”, tha Vela.

Analisti Vela, ka sugjeruar që LDK-ja dhe VV-ja të i kthehen bisedimeve dhe të vendosin për marrëveshje.

“LDK dhe LVV duhet ti kthehen tavolinës së diskutimeve me afat të definuar dhe jo të bëjnë “mbindertime” të pjesëve për të cilat janë pajtuar veçse. Këto “mbindertime” po përdoren vetëm për ti ikur mundësisë për arritjen e marrëveshjes së kompromisit”, ka theksuar ai.

Pas deklarimit të mbrëmshëm të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ka konfirmuar dështimin e bisedimeve për koalicionin me LDK-në.

LDK-ja ka dalë me një ofertë të re në të cilën zotohen të votojnë qeverinë Kurti si dhe të qëndrojnë në opozitë, në rast së VV-ja nuk ia ofron postin e presidentit.

Ndërsa sot është seanca konstituive e Kuvendit, ku edhe pritet të betohen deputetët e legjislaturës së 7-të.