Amerika dhuron pajisje mjekësore për Kosovën në vlerë 300 mijë dollarësh

Ultrazë, monitorë për pacientë, flometra, rregulatorë të oksigjenit, CPAP maskë (pajisje për asistim në frymëmarrje), analizatorë të gazrave, janë pajisjet e dhuruara nga Amerika për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

ShSKUK ka njoftuar se ky donacion i pranuar sot kap vlerën e 300 mijë dollarësh nga Zyra për Bashkëpunim dhe Mbrojtje në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

“Ky donacion është dhuruar në kuadër të ndihmesës për luftimin e pandemisë së COVID -19”, theksohet në njoftimin e ShSKUK-së.

Donacioni u dorëzua nga Major Ryan D. Conley, shef i Zyrës për Bashkëpunim dhe Mbrojtje në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, dhe u pranua nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.