Ambulancat specialistike në Mitrovicë përfshihen nga uji

Ambulancat specialistike që funksionojnë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë janë përfshirë nga uji pas reshjeve të vazhdueshme të shiut.

Kështu është bërë me dije nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

“Në takim me drejtoreshën e Spitalit, Luljeta Buçinca-Zhubi, ajo është njoftuar se ditën e djeshme, pas reshjeve të pandalshme të shiut, meqë ambulancat ndodhen në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, janë vërshuar nga uji. U.d. drejtoresha Zejnullahi-Raçi, ofroi mbështetje të plotë nga ShSKUK për ta tejkaluar sa më parë këtë situatë” thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, aktualisht po punohet nga shërbimet përkatëse që po largojnë ujin.

“Shërbimet shëndetësore ambulantore ortopedike janë ofruar në objektin e Spitalit të Mitrovicës, përderisa Reparti i Pediatrisë që vepron në kuadër të QKMF-së, po vazhdon të ofrojë shërbime mjekësore. Në objektin e Spitalit ku ndodhen repartet e tjera nuk ka pasur telashe pas vërshimeve” – përfundon njoftimi.