Ambasadori gjerman thotë se pajtohet plotësisht me BE-në: Masat e njëanshme i hedhin benzinë zjarrit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e mbështet plotësisht deklaratën e sotme të BE-së, në të cilën u tha se mbyllja e komunave paralele serbe do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës dhe se mund të rrisin tensionet.

Përmes një postimi në “X”, ish Twitter, ambasadori Rohde ka thënë se masat e njëanshme i hedhin benzinë zjarrit.

“Përsëri, unë e mbështes plotësisht këtë deklaratë!Masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë ​​zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve. Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë është i vetmi forum i përshtatshëm për të adresuar këto çështje” – ka shkruar Rohde.

 

Bashkimi Evropian ka thënë se komunat ilegale serbe që u mbyllën gjatë ditëve të fundit nga autoritetet në Kosovë, nuk do duhej të mbylleshin në këtë moment, pasi sipas tyre, kufizon qasjen e komunitetit serb në shërbimet themelore sociale.

BE-ja ka thënë se Kosova duhet të shmangë veprimet e njëanshme, sipas tyre, që mund të rrisin tensionet në vend.

BE-ja kundër mbylljes së komunave ilegale serbe: Kosova të shmangë veprimet që rrisin tensionet