Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori gjerman: Skenat e sotme në Kuvend, të papranueshme

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar lidhur me ngjarjet e sotme në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ai përmes rrjetit Twitter tha se këto skena janë të papranueshme, përfshirë këtu edhe sulmet personale ndaj ministres Donika Gërvalla.

“Skenat e sotme në Kuvend ishin të papranueshme, unë gjithashtu i konsideroj të papranueshme edhe sulmet personale ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla,” shkroi ai.

Ambasadori tutje shtoi se Gjermania, si të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, e përkrah formimin e Dhomave të Specializuara.

“Shfrytëzoj këtë rast të theksoj përsëri se Gjermania, si të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, e mbështesin plotësisht vendimin e Parlamentit të kaluar që me shumicën e 2/3 formoi Dhomat e Specializuara. Luftimi i mosndëshkimit dhe hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është pjesë e angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit”, shtoi tutje ambasadori.

Sipas Rohde, luftimi i këtyre krimeve nga gjykata ndërkombëtare është pjesë e një politike të përgjegjshme duke shtuar se këtë ua kemi borxh familjeve të viktimave.

“Gjermania është e bindur se luftimi i mondëshkueshmërisë përmes gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare është pjesë e një politike të përgjegjshme ligjore dhe politikës së jashtme. Nuk mund të ketë paqe në një shoqëri pa drejtësi. Këtë ua kemi borxh familjeve të viktimave, është e rëndësishme të mbështetet puna e Dhomave të Specializuara që është pjesë e ligjeve të Kosovës,” shtoi ai.

Deputeti i PDK-së jep versionin e tij për përplasjen e sotme në Kuvend