Deputeti i PDK-së jep versionin e tij për përplasjen e sotme në Kuvend

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa duke komentuar situatën tensionuese sot në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se janë penguar nga ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në momentin kur kanë lëshuar sallën.

Në një prononcim për KALLXO.com, Beqa ka thënë se si grup parlamentar kanë marrë vendim për ta lëshuar sallën në shenjë proteste, ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Gjatë rrugës kemi pasur fyerje dhe pengim apo tentim-sulm prej disa prej ministrave dhe deputetëve të mazhorancës, të cilët i lëshuan bankat ku ishin ulur dhe erdhën te dera, te dalja për të na penguar. Unë gjatë daljes nga Parlamenti e pash deputetin Besim Muzaqi, që tash po e di që është deputet, duke i shtyrë deputetë tonë, duke i ngreh për dore, duke u thënë dilni jashtë. Unë e kapa një deputet tonin për t’i thënë me liru, mos me pas probleme, ai më kapi edhe mua dhe filloi të fyej”, tha ai për KALLXO.com.

“Unë nuk do të lejoj që ai të fyejë dikë por as të më fyejë dikush, as të sulojmë dikë, por as të më sulmojë dikush. Ne ishim dukë dalë, ata na penguan, ne nuk shkuam te ta, ata erdhën te dera e Parlamentit. Këto nuk janë veprime të mira të mazhorancës që sillet me arrogancë”, shtoi deputeti.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ta paarritshëm për t’u kontaktuar kanë qenë edhe protagonistët e tjerë në atë situatë, si nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.