Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Ambasada Gjermane: Lista e pritjes për termine për dhjetor do të hapet në fillim të nëntorit

Ambasada e Gjermanisw në Kosovw ka njoftuar se që nga 7 tetori 2021, kur është hapur lista e termineve për viza sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor për muajin nëntor, kërkesa ka qenë shumë e madhe.

Sipas ambasadës, terminet në dispozicion për muajin e ardhshëm janë rezervuar brenda vetëm pak minutave dhe lista e pritjes për termine është dashur të mbyllet sërish.

“Për shkak të kërkesës së madhe, kontingjenti për muajin nëntor tashmë është shteruar. Sistemi i rezervimit të termineve i nënshtrohet standardeve të larta të sigurisë dhe administrohet në mënyrë të centralizuar në Gjermani. Megjithatë kapacitetet tejet të larta të sistemit të termineve që është në dispozicion në mbarë botën nga Ministria e Jashtme Federale në Berlin, pengesat afatshkurtëra në sistem në raste të qasjeve të shumta në të njëjtën kohë, fatkeqësisht jo gjithherë mund të mënjanohen”, thuhet në komunikatë.

Sipas ambasadës, lista e pritjes për termine për dhjetor do të hapet në fillim të nëntorit.

“Koha e saktë e hapjes së ardhshme do të bëhet e ditur paraprakisht në uebfaqen tonë: www.pristina.diplo.de”, thuhet tutje.

Ambasada gjermane ka njoftuar se që nga 1 janari 2021 është në fuqi pjesa vijuese e “Rregullores për Ballkanin Perëndimor“.

Sipas ambasadës deri më 31.12.2023 shtetasit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës.

“Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës. Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, 5.500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara për vitin 2019.

Në përputhje me këtë Ambasada mund të ofrojë vetëm kontingjente të kufizuara të termineve për një muaj.

“Termine për parashtrim të kërkesave caktohen për secilin muaj veç e veç. Në fillim të çdo muaji hapet lista e pritjes për termine për muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Ambasada ka njoftuar se terminet janë falas dhe sistemi është i hapur për të gjithë.