Ilustrim

Pajisja me viza pune, të mërkurën hapet regjistrimi i termineve për muajin korrik në Ambasadën gjermane

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë vazhdon të ketë fluks të madh të kërkesave për pajisje me viza pune nga kosovarët.

Si rrjedhojë e kërkesave të shumta ambasada gjermane muaj më parë ka bërë disa ndryshime për aplikim për t`u pajisur me vizë pune.

Ambasada kishte njoftuar se në fillim të secilit muaj do të hapet dhe qëndrojë e hapur për 2 deri 3 javë një listë e regjistrimeve për termine për aplikim për vizë. Një praktikë e tillë është duke vazhduar tash e sa muaj.

Së fundmi ambasada ka njoftuar se lista e regjistrimeve për termine për muajin qershor është mbyllur, dhe se për muajin korrik do të hapet nesër më 01.06.2022.

“Lista e regjistrimeve për termine në qershor është mbyllur. Lista e regjistrimeve për termine në korrik do të hapet nga 01.06.2022 në orën 14:00 deri më 13.06.2022 në orën 14:00”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada njofton se pas mbylljes së listës, nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.

“Të gjitha regjistrimet e bëra në muajin përkatës marrin pjesë në procedurën e shortit, pavarësisht se kur janë bërë. Prandaj regjistrimet e bëra më herët, nuk kanë përparësi kundrejt regjistrimeve të bëra më vonë brenda kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.

Ambasada gjermane njofton se regjistrimet e shumëfishta përjashtohen, dhe se ndryshimet e mëvonshme të të dhënave gjatë regjistrimit nuk janë të mundura.

“ Kalimi i një termini nga një person tek një tjetër nuk është i lejueshëm. Angazhimi i personave të tretë (p.sh. agjencioneve) nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell asnjë përparësi. Ju lutemi regjistrohuni në procedurë vetë dhe në qetësi dhe keni kujdes patjetër shënimin e të dhënave të sakta”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/