Ambasada e SHBA-ve e shqetësuar me rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë është shprehur e shqetësuar me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.

Në një deklaratë në Twitter, ambasada tha se duhen vendime të prera për të reduktuar bartjen e virusit COVID-19.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga rritja e madhe e rasteve COVID-19 në Kosovë. Duhen veprime të prera për të reduktuar transmetimin e mëtutjeshëm të virusit. Masat parandaluese janë efektive vetëm nëse ndiqen dhe zbatohen. Qeveria, punëdhënësit dhe individët të gjithë ndajnë përgjegjësinë në këtë luftë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Tutje kanë njoftuar se kanë reduktuar stafin në ambasadë, duke inkurajuar edhe institucionet e tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Si punëdhënëse e më shumë se 500 personave, ambasada e ka marrë këtë përgjegjësi me seriozitet. Duke maksimizuar punën nga shtëpia, duke eliminuar takimet, përpos atyre esenciale, duke kërkuar bartjen e maskës, ne po i mbrojmë punëtorët tanë dhe familjet e tyre”, ka shkruar kjo ambasadë.

Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dje ka njoftuar se pozitiv më COVID-19 kanë rezultuar 486 persona.